RTSH 24 Live

Kulturë

Panairi i Librit 2024, Ymeri: Na duhet një strategji kombëtare për librin shqip

2 orë para

Panairi i Librit 2024, Ymeri: Na duhet një strategji kombëtare për librin shqip

Prej ditës së mërkurë (13 nëntor), Panairi i Librit ka çelur dyert për lexuesit.

Edicioni i 27-të ka sjellë në Tiranë rreth 95 ekspozues, një pjesë e madhe e tyre edhe botues.

Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve, tha në një intervistë për RTSH 24 se beteja me librin është e rëndësishme për të ardhmen.

"Shkolla dhe familja janë dy frontet themelore. Shkolla, duke qenë si vatër e arsimit, ku edukohemi, ku fillojmë të mendojmë për të ardhmen, është e rëndësishme që shkolla të luajë rolin e saj. Kam dyshimin, po ashtu, që vëmendja e familjes në këto vite, për shumë arsye, është dëmtuar pak në raport me fëmijët, me kujdesin ndaj tyre. Duhet një strategji kombëtare për punën me librin edhe në trevat shqiptare, në Maqedoni, në Mal të Zi, ku është dobët puna me librin shqip. Ndryshe është në Shqipëri dhe në Kosovë. Këtë nuk është se po e sajojmë ne, por të gjithë popujt e zhvilluar kanë kaluar nga kjo mënyrë mësimi, edukimi dhe kulturimi," u shpreh z. Ymeri.

Shqipëria, prej shumë vitesh si vend aspirant për Bashkimin Europian, është pjesë e institucioneve europiane që mbështesin përkthimet dhe botimet, që nga projekti 'Creative Europe' në vitin 2014, deri te bashkëpunimi me institucioneve të vendeve të mëdha europiane.

"Ato bëjnë të mundur njohjen sa më të mirë të autorëve të tyre të shquar, por njëkohësisht kemi një larmi kulturore nga vendet e tjera që i bëhet e njohur lexuesit tonë. Jemi një botë e madhe dhe natyrisht kemi nevojë për të njohur kulturat e tjera, letërsi dhe autorë të tjerë. Edhe nga pikëpamja praktike: këto janë fonde të mëdha që vijnë nga Europa, të cilat ndihmojnë për ta fuqizuar sektorin e botimeve në Shqipëri. Pa këto ndihma ne do të ishim më të dobët, patjetër," tha z. Ymeri.

/rtsh.al/