Arkivi personal i gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadaresë tashmë do të jetë pjesë edhe e Arkivit Shtetëror.
Rreth 44 500 faqe, ku përfshihen romane të pabotuara, poezi dhe skica, që përcjellin të gjithë kalvarin e krijimtarisë së shkrimtarit, duke nisur që në moshën 11-vjeçare dhe deri në fund të jetës, janë restauruar dhe digjitalizuar nga Arkivi shtetëror, aty ku do të ruhet përjetësisht e gjithë kryevepra e Kadaresë.
Por i gjithë ky fond i krijimtarisë së panteonit të letrave shqipe është i ekspozuar edhe në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Kryeministri, ku shpalosen dorëshkrimet dhe pjesë nga vepra të pabotuara më parë.
Kjo është një mundësi e rrallë për publikun, që në ditët në vijim të eksplorojë botën e panjohur të Kadaresë, veprat dhe shënimet që ndriçojnë procesin e tij krijues.
Gazetare: Ornela Ceka
/rtsh.al/