RTSH 24 Live

Aktualitet

Projekti "Bashki të Forta", Mazniku: 15.6 milion euro për rritjen e cilësisë së qeverisjes vendore

14/11/2024

Projekti "Bashki të Forta", Mazniku: 15.6 milion euro për rritjen e cilësisë së qeverisjes vendore

Qeveritë Zvicerane dhe Suedeze do të vazhdojnë më tej projektin Bashki të Forta së bashku me qeverinë e Shqipërisë

Ky program, që u prezantua në parlament nga Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, kap vlerën totale të 15.6 milionë eurove nga të cilat 11.4 milionë sponsorizohen nga qeveria e Zvicrës, 1.8 milionë nga qeveria e Suedisë dhe 3 milion euro nga qeveria shqiptare.

“Bashki të Forta 2” shërben si një hap i rëndësishëm drejt rritjes së efikasitetit dhe cilësisë së qeverisjes vendore duke u fokusuar në disa aspekte kyçe. “Krijimi i një sistemi për matjen e performancës në nivel vendor, ngritja e një qendre trajnuese për nëpunësit vendorë, forcimi i demokracisë vendore në këshillat bashkiakë si dhe dy programe shërbimesh që janë përmirësimi i shërbimit të menaxhimit të integruar të mbetjeve dhe mirëadministrimi i arsimit parashkollor”,  tha Ministri Mazniku gjatë prezantimit të tij në parlament të projekligjit.

Më tej Mazniku shtoi se pjesa interesante në këtë projekt është se “ka një buxhet i cili duke filluar nga viti që vjen do t’i jepet bashkive në formën e një granti bazuar në treguesit e performancës”.

Ky fond, i cili ka një vlerë totale prej 6 milionë euro dhe do të përdoret për vitet 2025 dhe 2026. Bashkitë kanë rritur të ardhurat dhe kanë rritur investimet.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, iu përgjigj deputetëve të opozitës në parlament në lidhje me reformën territorale të vitit 2015 dhe ndikimin që ajo ka patur në buxhetin dhe të ardhurat e bashkive në Shqipëri.

Në përgjigje të deputetëve të opozitës, Mazniku tha se buxheti i këtij viti është 3 herë më i madh se ai i 363 bashkive dhe komunave të para reformës.

“Kemi të bëjmë me një rritje të qenësishme nga 13.1 miliardë lekë që mblidhnin bashkitë në vitin 2014, çka përbënte në atë kohë vetëm 36% të totalit të të ardhurave që bashkitë shpenzonin. Sot jemi në një nivel prej 34.9 miliardë, pra është 3-fishuar sasia e të ardhurave që bashkitë mbledhin dhe sot të ardhurat e bashkive janë 51% e totalit të të ardhurat që bashkitë kanë”, tha ministri Mazniku.

Po ashtu ministri deklaroi se shpenzimet që bashkitë bënin për paga përpara reformës territoriale ishte 70% e buxhetit ndërsa sot vetëm 43%. Po ashtu janë gati dyfishuar edhe investimet për frymë nga 3773 lekë për banor në 6724 lekë.

/rtsh.al/