Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka mbyllur hetimet për dosjen “5D” dhe ka dërguar për gjykim Redi Mollën në cilësinë e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” (UKT) sh.a, Mariglen Qaton në cilësinë e ish-Drejtorit të Departamentit Mbështetës në UKT, si dhe 5 të tjerë të akuzuar për korrupsion, pastrim parash, dhe shkelje të rregullave të prokurimit publik.
Hetimet kanë zbuluar se ish-drejtori Molla dhe kolegu i tij, Qatoja, së bashku me individët e tjerë kontrollonin indirekt shoqërinë "5D Konstruksion", e cila ka fituar kontrata publike dhe ka përfituar më shumë se 192 milionë lekë (rreth 1,6 milion euro).
Hetimi ka zbuluar se dy ish-drejtuesit e lartë të UKT-së, bashkë me të tjerë, manipuluan procedurat e prokurimit publik për të siguruar fitime të paligjshme për shoqërinë “5D Konstruksion”.
“I pandehuri Redi Molla në cilësinë e ish Drejtorit të Përgjithshëm të shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, si dhe i pandehuri Mariglen Qato në cilësinë e ish Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a dhe ish Kryeinspektorit të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Tiranë kanë qënë pronarë “de facto” të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k. Të pandehurit e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, si ortakë fiktivë në aktet e regjistrimit dhe funksionimit të shoqërisë, me të cilët ortakët e vërtetë të shoqërisë kanë pasur lidhje shoqërore dhe miqësore. Së pari, nga hetimet e kryera është provuar fakti se në periudhën 2016-2020, gjatë kohës kur i pandehuri, Redi Molla ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, shoqëria tregtare “Igor Elektrik” sh.p.k e njëjtë me “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në shkelje të rregullave të prokurimit publik në 7 (shtatë) procedura prokurimi, të realizuara nga autoriteti kontraktor “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a.
Në këto procedura prokurimi i pandehuri Redi Molla ka pasur cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, ka urdhëruar kryerjen e prokurimit, përbërjen e Njësisë së Prokurimit, përbërjen e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (duke caktuar në katër raste si anëtar të këtij komisioni të pandehurin Mariglen Qato, i cili është ortaku tjetër indirekt i shoqërisë), ka nënshkruar kontratat e sipërmarrjes, ka kryer çdo veprim tjetër që lidhet me cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, me shoqërinë tregtare në zotërim të tij. Së dyti, është provuar fakti se në periudhën 2016-2018, gjatë kohës kur i pandehuri Mariglen Qato ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, subjekti tregtar i mësipërm ka marrë pjesë dhe ka fituar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik në 4 (katër) nga procedurat e prokurimit të përmëndura më sipër. Në këto procedura prokurimi, i pandehuri Mariglen Qato ka pasur cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe ka qënë pjesë në marrjen e vendimit për shpalljen e fituesit të procedurës së prokurimit, për shoqërinë tregtare në zotërim të tij në mënyrë indirekte. Së treti, nga veprimet hetimore të kryera është provuar fakti se shoqëria tregtare “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, në 3 (tre) procedura prokurimi të organizuara nga autoriteti kontraktor, Bashkia Tiranë, si dhe në 2 (dy) procedura të tjera prokurimi të organizuara nga autoritetet kontraktore “Tirana Parking” sh.a dhe “Klubi Sportiv Tirana” sh.a.”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Sipas hetimeve të SPAK-ut, Taulant Tusha, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, si dhe të pandehurit Enton Punavija, Julian Zanaj dhe Albanon Janku, në cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në tri procedurat e prokurimit të organizuara nga Bashkia Tiranë kanë favorizuar dhe i kanë krijuar shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k avantazhe dhe privilegje të padrejta në raport me operatorët e tjerë ekonomikë, që kanë marrë pjesë në procedurat e prokurimit, duke e shpallur fituese të procedurës së prokurimit në shkelje të rregullave të prokurimit publik.
Në 12 procedurat e prokurimit që janë përfituar nga shoqëria “5D Konstruksion” sh.p.k në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e prokurimit publik, kjo shoqëri tregtare ka realizuar përfitime monetare në total në shumën 192.779.188 lekë.
Prokuroria ka hetuar gjithashtu se si pasuritë e përfituara janë përdorur për të pastruar paratë dhe për të fshehur origjinën e tyre të paligjshme. Në përfundim të hetimeve, është kërkuar dërgimi i dosjes në gjykatë për të akuzuarit dhe sekuestrimi i pasurive të tyre, duke përfshirë ato të shoqërisë “5D Konstruksion”.
“Shumat monetare të mësipërme që përbëjnë produkt të veprës penale pjesërisht janë nxjerrë nga sistemi bankar duke përdorur skemën e pagesës së faturave fiktive dhe janë depozituar përsëri më pas në gjendje “cash” në arkën e shoqërisë. Më pas këto shuma u janë dhënë pronarëve de facto të shoqërisë tregtare, janë përdorur për të financuar blerjen e pasurive prej tyre, apo për aktivitete të tjera të shoqërisë. Ndërsa, pjesa tjetër e shumave monetare që përbëjnë produkt të veprës penale është përdorur për të financuar aktivitetin tregtar të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k”, njofton SPAK.
Në sekuestro janë vendosur:
1) Shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, si person juridik që është përdorur për kryerjen e veprave penale dhe subjekt tregtar në të cilin janë riinvestuar produktet e veprës penale. Në momentin e sekuestrimit vlera e aktivëve afat-gjatë të shoqërisë tregtare 148.884.372 lekë.
2) Pasuri të paluajtshme në zotërim të të pandehurve, Redi Molla, Mariglen Qato dhe të afërmëve të tyre, të financuara plotësisht apo pjesërisht nga të ardhura me burime financimi që përbëjnë produkte të veprës penale, me vlerë totale prej rreth 107.989.000 lekë.
3) Shoqëria tregtare “Restur” sh.p.k dhe 24% e kuotave në shoqërinë “Mediterranean Investment Group” sh.p.k, me vlerë të aksioneve dhe të drejtave të pagueshme, në total rreth 77.273.000 lekë, si pasuri me vlerë të barazvlefshme me produktet e veprës penale.
SPAK dërgon për gjykim:
- Redi Molla, i akuzuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, e “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
- Mariglen Qato, i akuzuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
- Taulant Tusha, i akuzuar për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”,.
- Enton Punavija, i akuzuar për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
- Julian Zanaj, i akuzuar për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
- Albano Janku, i akuzuar për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
- Nestor Muhametllari, i akuzuar për veprat penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
- Shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k, e akuzuar për veprat penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
SPAK ndan çështjen, hetime më vetë për të tjerë të dyshuar të përfshirë
SPAK ka nisur hetime të vete për disa episode të ndryshme të lidhura me procedura prokurimi dhe veprimet e tjera hetimore. Vendimi ka përfshirë disa rrethana dhe fakte të reja që janë zbuluar gjatë hetimeve.
Së pari, është vendosur ndarja e akteve për procedurën e prokurimit me objekt "Rikonstruksionin e Palestrës së Mundjes" nga autoriteti kontraktor "Klubi Sportiv Tirana", si dhe procedurën për "Rikonstruksionin e Sheshit të Parkimit te Selman Stermasi" nga autoriteti kontraktor "Tirana Parking". Për këto dy procedura janë duke u kryer hetimet për përfundimin e çështjes dhe dërgimin për gjykim.
Së dyti, është vendosur ndarja e akteve lidhur me 11 procedura të tjera prokurimi që lidhen me Bashkinë Tiranë dhe strukturat e tjera, si dhe me autoritetet e tjera publike, pas zbardhjes së informacionit të ri nga këqyrja e të dhënave të sekuestruara dhe informacionit të depozituar nga kallëzuesi. Së treti, janë ndarë akte për hetimin e mundësisë që të ekzistojnë funksionarë të tjerë publikë që mund të kenë pasur lidhje me shoqërinë "5D Konstruksion" sh.p.k dhe për mundësinë e përfitimeve të paligjshme. Hetimet po vazhdojnë për episode të tjera të lidhura me lëshimin e faturave fiktive dhe deklaratat e pasakta të shpenzimeve dhe blerjeve nga kjo kompani.
/rtsh.al/