Duke nisur nga 1 janari i vitit që vjen, pensionistët e Tiranës do të kenë mundësinë të udhëtojnë falas në linjat urbane të kryeqytetit.
Do të jetë Bashkia e Tiranës ajo që do të subvencionojë abonetë e tyre.
Një numër i madh pensionistësh i janë drejtuar zyrave pranë njësive bashkiake për të kryer procedurat e pajisjes me dokumentin përkatës për udhëtimin falas në të gjitha linjat urbane të Tiranës.
Manjola Limani, specialiste e informimit qytetar në Njësinë nr. 2, thotë se numri i aplikantëve në ditë arrin deri në 500.
"Fillimisht duhet karta e identitetit. Plotësohet formulari, emër e mbiemër, një fotografi e vogël për dokument, firmoset që jeni dakord për përdorimin e të dhënave dhe kaq është aplikimi. Çdo gjë është me anë të sistemit. Vlen brenda Tiranës në të gjitha linjat. Kemi goxha fluks, rreth 450–500 aplikime në ditë," thotë znjsh. Limani.
Për pensionistët përfitues udhëtimi falas është një lehtësim i madh financiar.
Aboneja e pensionistit do të jetë ndryshe nga të tjerat, shoqëruar me foton dhe gjeneralitetet e personit posedues, dhe që të jetë e vlefshme gjatë udhëtimit duhet të shoqërohet edhe me kartën e identitetit.
Gazetare: Elda Lamja
/rtsh.al/