RTSH 24 Live

Sociale

Festat e fundvitit, shpërblim 150 euro për familjet me ndihmë ekonomike dhe invalidët

26/12/2024

Festat e fundvitit, shpërblim 150 euro për familjet me ndihmë ekonomike dhe invalidët

Të gjithë personat që përfitojnë nga skema ekonomike dhe mbrojtjes sociale do të marrin një bonus prej 150 eurosh shpërblim për festat e fundvitit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Albana Koçiu, ka njoftuar se me vendim të qeverisë nga ky bonus përfitojnë 275 mijë familje dhe individë.

Për herë të parë, bonusi është zgjeruar për të përfshirë edhe ndihmësit dhe kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara.

“Nga programi i mbrojtjes sociale akordohet shpërblim për 270 mijë familje dhe individë. Janë 15 mijë lekë apo 150 euro që i akordohen familjeve në nevojë që përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike, fëmijët pa kujdes prindëror, invalidëve që kanë statusin e para- dhe tetraplegjikut, si dhe ata që kanë statusin e të verbërit. Për herë të parë këtë vit marrin shpërblimin e fundvitit dhe ndihmësit dhe kujdestarët e personave me aftësi të kufizuar. Janë18 mijë ndihmës dhe kujdestarë për personat me aftësi të kufizuar të cilët gjithahstu do të marrin shpërblimin e fundvitit”, tha Koçiu.

Ajo theksoi se është një fond i akorduar nga buxheti i shtetit afro 2,1 miliardë lekë, që do të shkojë për të gjitha familjet dhe individët në nevojë.

Ministrja foli edhe për rishikimin e skemës së ndihmës ekonomike në frymën e e integrimit dhe aftësimit të tyre.

Nga programet e mbështetjes sociale përveç mbështetjes financiare jemi duke rishikuar edhe mënyrën e vlerësimit dhe akordimit të përfitimeve nga skema e mbrojtjes sociale. Sot u mor edhe një vendim tjetër i rëndësishëm që ka të bëjë me forcimin e individëve që janë forcë aktive pune dhe që janë aktualisht janë përfitues të skemës së ndihmës ekonomike. Kjo nënkupton që anëtarët madhorë që janë forcë aktive pune do të referohen tek Agjencia e Formimit Profesional, jo vetëm integrim për të gjetur një punë, por gjithashtu për t’i aftësuar ata me aftësi individuale me qëllim që të mund të sigurojnë të ardhurat për familjet e tyre. E rëndësishme për ne është që çdo familje me ndihmë ekonomike të marri ndihmë ekonomike, por nuk është kjo zgjidhja. Ne duhet të aftësojmë individët e familjes me qëllim që të kenë mundësi të mbajnë vetë familjet e tyre”, përfundoi ministrja Albana Koçiu.

/rtsh.al/