Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka dëshmuar për rreth 5 orë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku u paraqit mëngjesin e kësaj të enjteje (26 dhjetor).
Veliaj nuk komentoi për mediat, teksa u largua duke thënë se kishte një mbledhje me Këshillin Bashkiak.
"Do t’ju shpjegoj nga mbledhja e Këshillit Bashkiak, live", u shpreh ai.
SPAK po kryen një hetim pasuror ndaj Veliajt, ndërsa paraqitja e sotme në Prokurori vjen disa ditë pas kontrolleve në banesë dhe në galerinë e bashkëshortes së tij.
SPAK nuk dha detaje mbi kontrollet e kryera, por në një njoftim për mediat tha se ka kryer disa "veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal".
Kreu i Bashkisë së Tiranës reagoi duke thënë se veprimet e SPAK ndaj tij janë të mirëpritura dhe se do të bashkëpunojë “plotësisht” me autoritetet. Veliaj i ka mohuar akuzat për pasuri të paligjshme.
/rtsh.al/