RTSH 24 Live

Politikë

Në hetim për falsifikimin e diplomës, Belind Këlliçi del nga SPAK: Arsimi, krenaria ime

26/12/2024

Në hetim për falsifikimin e diplomës, Belind Këlliçi del nga SPAK: Arsimi, krenaria ime

Belind Këlliçi, drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Qarkun e Tiranës, mohoi të enjten akuzat se ai e ka falsifikuar diplomën e shkollës së mesme dhe ka bërë deklarim të rremë gjatë kandidimit për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 14 majit 2023.

Pas daljes nga SPAK, duke folur për mediet, Këlliçi la të kuptohej se është pyetur në lidhje me hetimin e nisur ndaj tij.

Nuk jam një person anonim që nuk me njeh askush. Mund të shkoni të shikoni dëftesën e 8-vjeçares dhe të shkollës së mesme dhe të kuptoni se kush është Belind Këlliçi. Edukimi im është arma ime më e fortë dhe krenaria më e madhe e jetës sime. Një nga krenaritë e mia të jetës është që kam denoncuar korrupsionin që ndodh çdo ditë në Bashkinë e Tiranës. Është një nga aferat më të mëdha korruptive në Evropë."

Ish-deputeti shtoi se kushdo që ka diçka në raport me të duhet t'i dalë përballë.

Kam dhënë sqarimet e mia në raport me të gjitha shpifjet e hedhur ndaj meje për shkak se kam rrëzuar një skemë korruptive me vlerë 1 miliard euro, atë të inceneratorit të Tiranës dhe kam rrëzuar bandën më të madhe të hajdutëve që ka parë Ballkani Perëndimor, 5D.

Jam i hapur në dispozicion të drejtësisë për cdo pyetje, sqarim në raport me mua, familjen time apo këdo që është i lidhur me mua nga dita që kam lindur deri më sot.

Kushdo që ka diçka në raport me mua, me deklaratat e mia, të nxjerrë fytyrën ballë për ballë, ashtu sic e kam nxjerrë unë”, tha ai.

Kallëzimi penal ndaj drejtuesit politik të PD në Tiranë tij u bë nga avokati Idajet Beqiri. Sipas tij, Këlliçi nuk e ka përfunduar vitin e fundit të shkollës së mesme “Harry Fultz” në Tiranë.

/rtsh.al/