Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka reaguar sot pas akuzave të ngritura për tenderin e Platformës të Regjistrimit të Votuesve të Diasporës, duke i quajtur spekulime të pabazuara duke pasur si synim të minojnë besimin e qytetarëve në institucionet publike.
Nëpërmjet një deklarate publike, KQZ-ja dënon me forcë dhe e konsideron të papranueshme përhapjen e spekulimeve dhe dezinformatave mbi tenderin për Platformën e Regjistrimit të Votuesve të Diasporës.
Gjithashtu thuhet se “pretendimet që aplikacioni është një “farsë” ose “ka abuzim të fondeve publike” janë spekulime të rënda dhe të pavërteta. Praktika të tilla të deklarimeve publike, të cilat (me qëllim ose jo) qartazi dëmtojnë interesa madhore publike, duhet të marrin përgjigjen e merituar edhe ligjore”, nënvizon KQZ-ja.
“Kjo Platformë është zhvilluar në përputhje me standardet më të larta të teknologjisë dhe sigurisë, duke përfshirë mekanizma autentifikimi të avancuar, si integrimi i një portofoli elektronik për verifikimin e sigurt të të dhënave. Çdo pretendim, që hedh poshtë këtë punë të bërë me profesionalizëm, është një sulm jo vetëm ndaj përpjekjeve të KQZ-së, por edhe të aktorëve të tjerë për të garantuar të drejtën e votës për diasporën.”
Sakaq thuhet se “tenderi për realizimin e kësaj platforme është zhvilluar në përputhje me të gjitha parashikimet ligjore përkatëse. Për testimin e tregut janë ftuar 11 kompani, nga të cilat u përgjigjën 7. Në paraqitjen e ofertave u ftuan të gjitha kompanitë dhe ftesës ju përgjigjën vetëm 4 prej tyre. Fondi limit i parashikuar për këtë procedurë prokurimi ishte: 208,333,333 lekë pa tvsh, rreth 2.1 milion Euro. Vlera e kontratës së lidhur është 185,617,000 lekë pa tvsh, pra rreth 1.8 milion Euro (3 milion Euro thonë spekulantët!!!),” bën të ditur KQZ-ja.
Sipas KQZ-së, “është kompromentim i rëndë i ndershmërisë dhe shenjtërisë morale dhe profesionale dhe i personifikimit të mbrojtësit të interesit publik, kur jep gjykime dhe vlerësime, për procese, apo produkte, minimalisht pa kërkuar paraprakisht të dhëna, informacione, apo dokumentacione që lidhen me këto procese, apo produkte.”
“Aplikimi i gati 10 mijë votuesve nga jashtë në platformë, në vetëm dy ditë, është tregues i qartë i funksionalitetit, soliditetit dhe integritetit të PER. E duke qenë se për këtë, këta spekulantë nuk patën se çfarë të thonë, gjetën të tërheqin vëmendjen publike me atë atë që realisht shumë lehtë e përfshin publikun në komente, korrupsioni, tenderi etj. si këto.
Përpjekjet për të politizuar këtë iniciativë të rëndësishme nuk do të dekurajojnë KQZ-në nga misioni i saj për të mbështetur të drejtën e votës për çdo qytetar shqiptar. Diaspora meriton respekt dhe mbështetje, jo shfrytëzim të shqetësimeve të saj për qëllime personale të papërshtatshme.”
Deri në orët e pasdites së 13 janarit, në faqen online dhe aplikacionin e KQZ-së kanë aplikuar 9.371 emigrantë me banim në diasporë. Vetëm 1.435 kërkesa janë miratuar deri më tani, sipas njoftimit të KQZ-së.
Ndërkohë vihet re që numri i meshkujve që kanë aplikuar është 6.721, ndërsa 2.650 janë femra.
Aplikimet mbyllen në datën 12 mars 2025, ndërsa më 11 maj, qytetarët në Shqipëri do u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur qeverinë dhe parlamentin e ri.
/rtsh.al/