RTSH 24 Live

Politikë

Hetimi pasuror “një kurth i sajuar”, Veliaj: Më denoncoi në SPAK një person anonim

15 orë para

Hetimi pasuror “një kurth i sajuar”, Veliaj: Më denoncoi në SPAK një person anonim

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka sqaruar gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak se paraqitja e tij e sotme në SPAK është për shkak të një denoncimi nga një "person anonim".

Struktura e Posaçme Antikorrupsion po kryen një hetim pasuror ndaj Veliajt dhe disa ditë më parë kontrolloi banesën e kryebashkiakut dhe galerinë e bashkëshortes së tij.

Sipas Veliajt, denoncimi ndaj tij ka prapavijë politike, por pavarësisht kësaj ai vazhdon të bashkëpunojë me SPAK-un.

Jam denoncuar në mënyrë anonime nga një person që quhet Nesti Angoni. Ky personazh nuk ekziston, por ky personazh na ka kthyer mallin e letrave anonime. Të gjithë e dinë se çfarë mentaliteti përfaqëson ky person dhe çfarë kulture linçuese përfaqëson ky stil. Duke qenë se kryetari i bashkisë ka në zotërim të gjithë Regjistrin Civil dhe mund të verifikojë qartësisht që është një kurth i sajuar, sërish kam qenë bashkëpunues dhe do ishte shqetësuese nëse kryetari i bashkisë, edhe për kurthe anonime nuk do të paraqitej.

E di e gjithë Tirana ku jetoj unë, ku isha përpara zgjedhjeve, ku vazhdoj ende të jetoj dhe ku do të jem në fund të kësaj detyre.

Unë hyj tek ajo racë politikanësh që nuk i thotë SPAK-ut SKAP kur nuk i intereson dhe i thotë SPAK kur i intereson për kundërshtarët e vet. Nuk kam bërë as antiprotesta dhe as letra anonime, sepse i përkas një brezi që nuk i njeh letrat anonime,” u shpreh Veliaj.

Veliaj sfidoi këshilltarët e opozitës që ishin të pranishëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, duke iu drejtuar me fjalët: “Këtu do të jemi edhe në maj, do t'ju mundim sërish”.

/rtsh.al/