Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në një postim në rrjetet sociale ka akuzuar qeverinë se është e paaftë për të menaxhuar sektorin e bujqësisë dhe për të garantuar standardet bazë të sigurisë ushqimore.
Për ilustrim, ajo ka ngritur shqetësimin për bllokimin e mandarinave shqiptare për eksport në pikat kufitare. Sipas Tabakut, ndalimi i mandarinave është bërë për shkak të përdorimit të pesticideve të ndaluara, larg standardeve dhe normave të Bashkimit Evropian.
“Ky është një tjetër tregues i paaftësisë së qeverisë për të menaxhuar sektorin e bujqësisë dhe për të garantuar standardet bazë të sigurisë ushqimore. Fondet për sigurinë ushqimore janë ulur me 145 milionë lekë vetëm në shtator të vitit të kaluar, duke krijuar një boshllëk të madh në kontrollin e produkteve bujqësore që konsumohen brenda dhe eksportohen jashtë vendit.”, thekson Tabaku.
Sipas saj, siguria ushqimore mungon, kontrolli mungon dhe fondet e bujqësisë janë zvogëluar ndjeshëm dhe si pasojë, kemi produkte që nuk shiten në tregjet evropiane, jo vetëm për shkak të mungesës së kontrollit, por edhe për shkak të dështimit të politikave të qeverisë.
Ajo shton se ulja e fondeve për bujqësinë dhe dështimi i skemave mbështetëse, si ajo e TVSH-së dhe fondet IPARD, kanë bërë që produktet shqiptare të mos konkurrojnë në tregje ndërkombëtare.
“Kjo situatë është pasojë direkte e korrupsionit dhe paaftësisë në menaxhimin e fondeve shtetërore. Korrupsioni është pesticidi më i rrezikshëm i ekonomisë shqiptare. Përparimi i bujqësisë duhet të jetë prioritet kombëtar për të mbështetur mbi 300 mijë familje shqiptare që jetojnë nga ky sektor.”, deklaron deputetja e PD-së.
Për Tabakun, zgjidhja është rritja e fondeve për sigurinë ushqimore, forcimi i kontrolleve dhe krijimi i një plani konkret për të mbështetur fermerët shqiptarë që të sjellin në treg produkte të cilësisë së lartë.
Reagon AKU, Jorgaqi: Garantojmë produktet ushqimore në treg
Drejtori i Komunikimit të Riskut dhe Monitorimit, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), Martin Jorgaqi siguroi të enjten konsumatorët në treg për sigurinë e produkteve ushqimore.
Në një prononcim në media, Jorgaqi deklaroi se inspektorët e AKU-së kanë shtuar kontrollet dhe analizat e produkteve në treg dhe ka rezultuar që produktet në treg janë të sigurta për konsum.
“AKU është në terren duke ndjekur të gjithë zinxhirin e furnizimit të tregut shqiptar për të siguruar produkte të sigurta për secilin konsumator”, deklaroi ai.
Duke u ndalur në situatën e fundit të krijuar nga bllokimi i dy ngarkesave me mandarinë në kufirin me Kroacinë, Jorgaqi tha se në këto dy ngarkesa u gjet se është përdorur pesticidi i emërtuar chlorpyrifos, tashmë i ndaluar në listat e komunitetit europian dhe vendin tonë.
“Këto ngarkesa nga furnitorë shqiptarë, drejtuar drejt vendeve të BE-së dolën me përmbajtje të chlorpyrifos, dhe si të tilla u refuzuan nga vendet pritëse. Një pjesë e tyre janë asgjësuar në vendet ku ato kishin destinacionin, ndërsa 2 ngarkesa janë kthyer dhe janë marrë masat e menjëhershme për asgjësimin e tyre”, informoi ai.
Jorgaqi bëri të ditur se AKU nëpërmjet gjurmueshmërisë që ka në programet e veta të aktivitetit të këtyre magazinave mbledhëse apo eksportuese ka mundur që të shkojë deri te fermeri dhe ka bërë përshkallëzimin e masave ndëshkuese.
”Nga kontrollet zyrtare të kryera në terren, si në pikat e inspektimit kufitar, dhe në pikat e tregtimit të imputeve bujqësore dhe produkteve të mbrojtjes së bimëve nëpër qarqe janë kryer kontrollet e inspektimet e mundshme. Nga Shqipëria në këtë sezon që po flasim kanë ikur rreth 950 ngarkesa dhe në gjithë këtë fluks të madh ngarkesash, këto janë ngarkesat problematike”, tha ai.
/rtsh.al/