RTSH 24 Live

Politikë

Blushi: Strukturat e PL-së në këmbë për të fituar zgjedhjet e 2025. Me Metën komunikojmë çdo ditë

14/11/2024

Blushi: Strukturat e PL-së në këmbë për të fituar zgjedhjet e 2025. Me Metën komunikojmë çdo ditë

Opozita po përballet me një situatë jo të lehtë para zgjedhjeve të vitit 2025, teksa dy liderët kryesorë të saj, Sali Berisha dhe Ilir Meta ndodhen nën masa sigurie, kreu i PL-së në arrest me burg, ndërsa kreu i PD-së në arrest shtëpie.

Megjithatë, Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi thotë se ata kanë ndezur motorët për zgjedhjet e vitit të ardhshëm, duke shpresuar në fitore.

Në studion e emisionit “Ekspres” në RTSH, Blushi tha se Meta, edhe pse në qeli, vijon të drejtojë partinë dhe se ka komunikime të vazhdueshme me strukturat e partisë.

Situata nuk është e lehtë. PL ndodhet në një agresion dhe terror të pashembullt nga narko-regjimi i Edi Ramës. Strukturat janë në këmbë, e gjithë partia është në gjendje lufte me këtë regjim. Kemi ndezur edhe motorët për të arritur atë fitore spektakolare që shqiptarët presin në zgjedhjet e 2025. Presidenti i PL është Ilir Meta i cili vazhdon ta drejtojë partinë edhe pse në një masë ekstreme izolimi. Komunikimi me të është i përditshëm dhe besoj që do dalim edhe më të fortë nga kjo betejë”, the Blushi.

I pyetur mbi rikthimin e deputetëve demokratë në Kuvend, Blushi tha se opozita ka nxjerrë mësime nga braktisja e institucioneve dhe se tashmë aksioni do të jetë i kombinuar.

Ndërkohë, teksa Partia Demokratike insiston në krijimin e një qeverie teknike para zgjedhjeve, Blushi thekson se PL do të hyjë në këtë garë elektorale në çfarëdo rrethane.

Opozita i ka nxjerrë mësimet nga gabimet e të kaluarës që kanë qenë bojkoti i institucioneve dhe djegia e mandateve. Aksioni do të jetë i kombinuar, do ndërthuret aksioni politik në terren me betejën institucionale në Parlament. Protesta e 29 tetorit tregoi që e gjithë Shqipëria ishte në këmbë dhe për 3-4 orë i gjithë vendi ishte në duart e opozitës. Ne do të hymë në zgjedhje në çfarëdo rrethane edhe pse do të jetë një proces elektoral i vështirë sa kohë që dy drejtuesit kryesorë të opozitës sot janë në burg apo të ndaluar me masë ekstreme ndalimi politik. Përballja nuk është e lehtë, por na motivon për të intensifikuar lëvizjet tona politike”, deklaroi Blushi.

/rtsh.al/