RTSH 24 Live

Politikë

Çështja Beleri/ Ministri i Jashtëm grek do i dërgojë letër homologëve të BE: Arrestimi i tij, shkelje flagrante e shtetit ligjor

01/08/2023

Çështja Beleri/ Ministri i Jashtëm grek do i dërgojë letër homologëve të BE: Arrestimi i tij, shkelje flagrante e shtetit ligjor

Arrestimi i kryetari të zgjedhur të Himarës Fredi Belerit, dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit, vijon të jetë kryefjalë e mediave greke. Ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis do i dërgojë një letër homologëve të tij të BE-së,  të cilëve do t'u shpjegojë se pse arrestimi i Belerit është një shkelje flagrante e çdo koncepti të shtetit ligjor dhe kusht i domosdoshëm për anëtarësimin e çdo vendi në BE.

Hapi i radhës, një letër e ministrit të Jashtëm Giorgos Gerapetritis drejtuar homologëve të tij evropianë. Një pengesë shumë serioze në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, deklaron Athina.

Ishte zëdhënësi i qeverisë Pavlos Marinakis, ai i cili bëri të ditur këtë zhvillim, teksa theksoi se Shqipëria duhet të respektojë rrehullat elementare të shtetit të së drejtës.

Shqipëria duhet të respektojë rregullat elementare të shtetit të së drejtës dhe është një çështje në të cilën vendi ynë do të vazhdojë të veprojë si prioritet absolut sepse ne duhet të mbrojmë edhe të drejtat e pakicës, si dhe një kryetar bashkie të zgjedhur ligjërisht. Për Athinën kjo është "një çështje me prioritet më të lartë"”, tha ai, raporton Kathimerini.

Athina e konsideron arrestimin e Belerit si vendim të qeverisë së Edi Ramës, duke theksuar se kjo gjë çon në një kthim të papritur në marrëdhëniet dypalëshe greko-shqiptare.

Ecuria e afrimit e regjistruar deri në momentin kur qeveria e zotit Rama vendosi të burgoste zotin Beleri, në fakt edhe para zgjedhjeve, padyshim që nuk mund të vazhdojë as me të njëjtin ritëm dhe as me të njëjtin intensitet, derisa t'i hiqet ky "gjemb" në marrëdhëniet dypalëshe. E gjithë kjo ndodh derisa në Maqedoninë e Veriut fqinje miratohen dhe zbatohen reformat, si rezultat i të cilave ato “zhbllokojnë” hapat në rrugën e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian. Ndërsa në Shkup po shkojnë drejt BE-së, në Tiranë çështja Beleri vepron si një pengesë shumë serioze”, thuhet në artikull.

Kujtojmë se kryeministri Kyriakos Mitsotakis e ngriti këtë çështje në Samitin e fundit të Bashkimit Evropian në Bruksel, duke u prezantuar homologëve të tij, situatën në Shqipëri.

Gerapetritis ia prezantoi çështjen Komisionerit të Zgjerimit Oliver Varkheli, si dhe kryetarit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, David McAllister.

Beleri u arrestua më 12 maj, ndërsa hetimet ndaj tij kishin nisur më 9 maj pas referimit të rastit nga policia e Vlorës, dhe u mbështet me pamje filmike dhe përgjime pasi një agjent i infiltruar i policisë, përgjoi momentin kur bashkëpunëtorët e Belerit dhanë lekë për vota.

Në zgjedhjet e 14 majit Beleri, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” u shpall fitues në Bashkinë Himarë përballë Jorgo Goros me një diferencë prej 19 votash.

/rtsh.al/