RTSH 24 Live

Politikë

Berisha: Veliaj u përgjua nga Manja. Balla bashkëpunim me Suel Çelën

11 orë para

Berisha: Veliaj u përgjua nga Manja. Balla bashkëpunim me Suel Çelën

Ish-kryeministri Sali Berisha u paraqit për herë të pestë pranë Prokurorisë së Posaçme, në respekt të masës së sigurisë të dhënë për të nga gjykata “detyrim paraqitje”.

Brenda mjediseve të Prokurorisë ai qëndroi jo më shumë se 7 minuta, ku në dalje foli për kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili, sipas Berishës është përgjuar nga ministri i Drejtësisë.

Po a mund t’u pyes ju se si ia keni fshehur popullit Redaktorin?  Ju i keni thënë të gjitha, por kur fshihni Redaktorin që dihet se është Edi Rama. Megjithatë edhe Ulusiu ka luajtur rolin e tij. Njeri më të pabesë, më të zi në shpirt, më të pakarakter se atë nuk ka. I ka shkuar natën si mik, duke i lëpirë dhe stërlëpirë Erion Veliajt dhe ka urdhëruar vendosjen e çimkave në të gjitha mjediset. Ulsiu pra është pjesë e këtij kurthi. Në fakt, ta dini mirë, po edhe këtë nuk e thanë gazetarët, kur u ul Erioni në bankën e gjykatës dhe prokurori tha se kemi një dosje shtesë, atij pothuajse i ra të fikët, as gëk as mëk nuk bëri. Unë ua them këtu me përgjegjësi, atij desh i ra tavani se nuk e priste të ishte i regjistruar pasi Ulsiu i kishte dhënë çdo garanci se ai është njeriu i partisë siç ka qenë”, tha Berisha.

Ai vijoi me akuzat ndaj ministrit Balla për lidhje të tij me krimin.

Taulanti është një personazh unik. A e dini ju të nderuar gazetarë që ai është edhe hajdut xhepash në kuptimin që nuk ngurron t’u kërkojë mbushmani kartën e telefonit, hidh ca mbushje në kartën time të telefonit. Pra, ky është njeriu që përfaqëson Edi Ramën në Tiranë. Në janar të vitit 2021, Sueli, kapoja i bandës së Elbasanit është në diskutim me pinin D787BO, e gjeni vetë ju ku është, por edhe unë do përpiqem, në lidhje me një çështje kundër tij, të nisur nga OFL. Dosja ndodhet në SPAK. Pini D787BO thotë se ‘do ta kthej dosjen nga Spaku në OFL’. E shihni pra se si bëhen pazaret dhe pastaj më thonë pse thua ti organizatë kriminale. Po çfarë është kjo apo jo? A nuk është pazar që më hiqni dosjen dhe çojani edhe njëherë policisë”, deklaroi Berisha.

Si në çdo paraqitje, Berisha tha se la shënimin në procesverbal, ku ka shkruar se kreu i SPAK po amniston krimet elektorale, duke e konsideruar si krim antikushtetues dhe atentat ndaj zgjedhjeve të lira.

/rtsh.al/