RTSH 24 Live

Politikë

Avokati i Popullit, Peleshi: Të nisim që sot negociatat. Vasili: Kemi një kandidaturë, s’ka nevojë për diskutime

12 orë para

Avokati i Popullit, Peleshi: Të nisim që sot negociatat. Vasili: Kemi një kandidaturë, s’ka nevojë për diskutime

Zgjedhja e Avokatit të Popullit është sërish në ngërç pasi opozita dhe maxhoranca nuk kanë gjetur dakordësinë, ndërsa këtë të hënë (17 mars)  Kuvendi është mbledhur në seancën e fundit plenare para zgjedhjeve të 11 majit.

Opozita kërkoi që të futej në rendin e ditës së seancës së sotme votimi për Avokatin e Popullit, teksa kandidati i propozuar prej tyre është Besim Ndregjoni. por kreu i Grupit Parlamentar socialist, Niko Peleshi kërkoi që të respektohej tradita parlamentare, që palët të futen në një proces diskutimi mbi propozimet e opozitës, para se të shkohet në votimin në Kuvend. Peleshi theksoi se maxhoranca nuk ka asnjë propozim të saj, teksa shtoi se është PS gati të fillojë procesin që sot.

Opozita ka kërkuar të fusë në rendin e ditës zgjedhjen e avokatit të Popullit. Ne kemi kërkuar të ndërtojmë një proces sipas traditës parlamentare, meriton të kemi një proces ku përfaqësuesit tanë dhe të opozitës diskutojnë me emrat dhe arrihet një konsensus. Ne nuk kemi propozime tonat, duam të diskutojmë mbi propozimet e opozitës. Unë e kam bërë disa herë këtë ftesë, deri tani nuk kemi asnjë reagim nga grupi parlamentari opozitës. Edhe njëherë theksoj gatishmërinë tonë, edhe që sot të fillojnë procesin dhe ta miratojmë në seancën e radhës. Propozoj të fillojmë sot negociatat, mbi bazën e propozimeve dhe jemi të gatshëm ta votojmë në seancën e radhës, por jo kështu si duan ta  bëjnë fakt të kryer dhe në mungesë respekti për maxhorancën që në fund të fundit, pa votat e opozitës nuk zgjidhet dot”, tha Peleshi.

Në përgjigje të Peleshit, deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili tha se nuk ka nevojë për diskutime pasi opozita e ka deklaruar publikisht se mbështet një kandidaturë të vetme. Ai akuzoi maxhorancën se nuk ka vullnet për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.

Opozita e ka bërë të qartë publikisht se cila është kandidatura që mbështet. Procesi për herë  të parë hy në ngërç. Kjo s’ka nevojë për asnjë proces dhe s’ka ndonjë proces formal të veçantë parlamentar. Meqë ka një konsensus që opozitës i jepet mundësia, është fokusuar  te një kandidaturë e vetme, çfarë procesi do hapim? Këtu mund të thuhet shumë thjeshtë që nuk ka vullnet. Ne sot jemi në një situatë të turpshme që për 3 vite rresht nuk zgjedhim dot një Avokat Populli. E vetmja gjë që mund të bënte maxhoranca, ishte të votonte dhe t’i jepte fund këtij turi 3-vjeçar”, u shpreh Vasili.

Kuvendi u mblodh në seancën plenare të fundit para zgjedhjeve parlamentare, për t’iu rikthyere veprimtarisë së tij  me 20 maj, deri në  shtator, kur dhe konstituohet legjislatura e re.

/rtsh.al/