Ish-kryeministri Berisha i ka bërë thirrje Komunitetit Mysliman Shqiptar që të mos pranojë përpjekjet e kryeministrit Rama për përçarjen e këtij komuniteti.
Berisha e bëri këtë deklaratë pak orë nga inaugurimi i xhamisë së Namazgjasë nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.
“Të dashur miq, sot për komunitetin mysliman shqiptar ishte një ditë e veçantë. U inaugurua Xhamia e Namazgjasë. U inaugurua në tokën e Komunitetit Mysliman, të konfiskuar nga regjimi komunist dhe të rikthyer nga PD. Edi Rama e pengoi 11 vite sa qe kryetar bashkie dorëzimin e pronës komunitetit mysliman. Por më në fund, xhamia e madhe e Tiranës nisi ndërtimin me 17 prill të vitit 2013.
U deshën 11 vite të përfundonte. E ndërpreu dhe e bllokoi sapo erdhi në pushtet, etj, etj. Por unë sot kam mirënjohje për të gjithë ata që me bujari financuan ndërtimin e saj.
Thirrja ime për Komunitetin Mysliman Shqiptar është të përçmoni, të hidhni poshtë përpjekjen diabolike të Edi Ramës për përçarjen tuaj. Përdorimin e xhamisë, tempullit të lutjeve ndaj Zotit, për të përçarë komunitetin mysliman”, tha Berisha.
Sipas Berishës, mungesa në ceremoni e kryetarit të KMSH, ishte një ofendim për çdo besimtar mysliman.
“Mungesa në ceremoni e udhëheqësit shpirtëror të besimtarëve myslimanë, kryetarit të KMSH, ishte një ofendim për çdo besimtar mysliman. Por Edi Rama është i angazhuar në mision për të përçarë fetë dhe besimet. Tre javë më parë, sikur të ishte i biri i Ajatollah Komeinit, shpalli në OKB krijimin e shtetit bektashi. Tre javë më parë, nuk fton kreun e KMSH, të zgjedhur nga vetë komuniteti.
Në emër të PD dënoj këtë akt, por garantoj besimtarët se kjo parti në respekt të plotë të lirive fetare, besimeve fetare, do i përmbahet kushtetues të ndarjes së shtetit nga feja. Do respektojmë me admirim të madh tolerancën fetare dhe bashkëveprimin ndërfetar si vlerat më të arrira të shpirtit shqiptar”, u shpreh Berisha.
/rtsh.al/