Kryetari i demokratëve, Sali Berisha, ka bindjen se është Partia Demokratike ajo që do të jetë në qeveri kur vendit t'i jepen të drejtat e plota si anëtare e Bashkimit Europian.
Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, z. Berisha tha se anëtarësimi në BE është një nga shtyllat e programit të tij dhe i quajti "mashtrime" deklaratat e kryeministrit Edi Rama se me një qeveri demokrate, anëtarësimi në BE do të ishte i pasigurt.
"Unë ju them ju se me këto rroga dhe pensione nuk të pranon kush anëtare të BE. Mos të ketë asnjë iluzion. Unë ju garantoj ju se me këtë farsë elektorale nuk pranohet Shqipëria në BE. Unë ju garantoj ju, se me këto lidhje të tmerrshme të qeverisë me krimin, për Shqipërinë me Edi Ramën, anëtarësimi në BE do të jetë një horizont që largohet me shpejtësi," deklaroi z. Berisha.
Duke u kthyer te ambiciet më të afërta politike, siç janë një fitore e mundshmen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kryedemokrati theksoi se listat e dorëzuara ditë më parë nga partitë do bëjnë dallimin edhe në fushëbetejën politike të 11 majit.
"Shkurtimisht, grupi i parë i listës së Edi Ramës janë që të gjithë pa përjashtim me dosje të rënda SPAK-u, aferash korruptive ndër më të mëdhatë dhe lidhje me krimin ndër më të tmerrshmet.
Unë jam i bindur që 11 maji do të jetë një fitore e thellë e koalicionit për Shqipërinë Madhështore. Kudo që shkoj, ka një entuziazëm të madh te qytetarët që nuk e kam ndier ndonjëherë më parë, qoftë në Shqipëri, qoftë jashtë Shqipërie," tha z. Berisha.
Kreu i demokratëve përsëriti ftesën e tij për të rinjtë, që t'i bashkohen në protestën e thirrur në mbrëmje para kryeministrisë për shkak të vendimit për të mbyllur rrjetin social TikTok, ndërsa garantoi se po t'i fitojë zgjedhjet, "më datë 12 maj TikToku do të lëshohet menjëherë".
/rtsh.al/