Lëvizja Vetëvendosje dorëzoi këtë të hënë tre ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ku kërkon përsëritje të votimit me postë, anulimin e votave me postë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe largimin nga lista të kandidatëve të LDK-së, që sipas tyre kanë marrë më shumë vota gjatë atij procesi se gjatë votimit brenda vendit.
Përfaqësuesi ligjor i Lëvizjes Vetëvendosje Blerim Sallahu, tha se manipulimi i organizuar nga LDK-ja ka ndodhur që në regjistrimin e votuesve me postë nga diaspora.
“Dorëzuam ankesë kundër vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultateve përfundimtare me pretendimet tona, lidhur me votimin me postë për shkak të manipulimeve me keqpërdorimeve të shumta të anëtarëve të LDK-së. Këto votime kanë pasur një adresë të vetme dhe adresa ka qenë LDK. Votimi ka ndodhur në formë të manipuluar dhe organizuar masivisht dhe kolegtivisht nga persona të njëjtë”, tha Sallahu.
Sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje Alim Rama tha se për këto manipulime të procesit zgjedhor nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë bërë kallëzim edhe në prokurori, por nga ky institucion nuk ka ende asnjë reagim.
Në votimin me postë, Lëvizja Vetëvendosje mori rreth 52% të votave, LDK 30 %, PDK 9.5 % të votave. Ndërkohë sipas rezultateve përfundimtare të publikuara nga KQZ, partia në pushtet doli e para, kurse LDK-ja u rendit e treta.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/