RTSH 24 Live

Kosovë

Sorensen në Kosovë, i dërguari i BE-së për dialogun takoi liderët e vendit

17 orë para

Sorensen në Kosovë, i dërguari i BE-së për dialogun takoi liderët e vendit

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen tha se gjatë takimit me kryeministrin Albin Kurti biseduan rreth mënyrës se si mund të ecet përpara me procesin e dialogut, duke e cilësuar këtë bisedë fillim të mirë. Pyetjes nëse do të ketë kompromise për dialogun, Sorensen iu përgjigj:  “Dialogu është për t’u siguruar që të ketë takime mes palëve. Nëse do të ketë kompromise apo jo, kjo u takon palëve për ta përcaktuar. Është shumë e qartë që procesi i dialogut mban në vete edhe një numër të madh zhvillimesh të rëndësishme dhe duhet të merremi me to.”

Kur u pyet nëse dialogu do të ndryshojë, zyrtari evropian tha se si i dërguar special i BE-së, ai do të punojë sipas mënyrës së tij. Lidhur me mbylljen e institucioneve paralele serbe në Kosovë, Sorensen tha se njerëzve duhet t’u shërbehet në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ne duhet të punojmë dhe sigurohemi që qytetarëve t`iu ofrohen shërbimet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kjo është ajo çfarë po përpiqemi të bëjmë", u shpreh ai.

I dërguari i BE-së fillimisht u prit nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, më pas vijoi takimet me kryeministrin Kurti dhe kryenegociatorin Besnik Bislimi. Pas takimit mes tyre, presidentja Osmani ritheksoi nevojën për heqjen e masave të BE-së.

Kosova ka dëshmuar se është palë konstruktive në dialog, e angazhuar për paqe, demokraci e sundim të ligjit, prandaj mbajtja e masave të padrejta të BE-së ndaj vendit tonë po dëmton jo vetëm qytetarët tanë, por edhe balancën e nevojshme në dialog”, tha Osmani.

Sorensen, i cili zëvendësoi në detyrë sllovakun Miroslav Lajçak, ende nuk e ka ndërmjetësuar ndonjë takim lidhur me dialogun Kosovë- Serbi në Bruksel, por ka takuar ndaras zyrtarë nga të dyja vendet. Ai do të qëndrojë në Kosovë deri më 19 mars.

Në takimin e fundit në Bruksel më 17 dhjetor të vitit të kaluar, me ndërmjetësimin e Lajçakut, dy palët u dakordësuan për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur. Kosova dhe Serbia kanë nisur procesin e negociatave me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel që nga vitit 2011.

/rtsh.al/