RTSH 24 Live

Kulturë

Berat Luzha, gazetari i luftës në Kosovë, i cili i qëndroi misionit të tij

22/01/2025

Berat Luzha, gazetari i luftës në Kosovë, i cili i qëndroi misionit të tij

Sa herë vjen në Kukës, Berat Luzha nuk i shmang takimet me kolegët e tij dhe vizitën në Radio Kukësi, ku ai mori një pjesë të konsiderueshme të formimit të tij si gazetar.

"Për gati 25 vjet e kam vizituar Radio Kukësin për të shprehur mirënjohjen që ka bërë për Kosovën," shprehet z. Luzha.

Beratin e njohin të gjithë si gazetarin e luftës, në të vetmen dritare që rezistoi në kulmin e zhvillimeve të 1999, Radion Kosova e Lirë.

"Mediet e luftës vazhduan deri në çlirimin e Kosovës dhe mendoj se kryen një mision shumë të rëndësishëm për informimin e opinionit publik, sidomos atij ndërkombëtar," tregon gazetari.

Ishte barrë e rëndë për të mbajtur këtë dritare informimi në kushte tejet të vështira e në ambiente të papërshtatshme.

Nuk u ndërpre në asnjë rast transmetimi dhe informimi i publikut me zhvillimet më të fundit që ndodhnin nga fronti i luftës, por edhe ato në arenën ndërkombëtare për Kosovën.

"Nuk ekzistonte pothuajse asnjë kusht. E gjitha puna bëhej në një odë të fshatit. Pajisjet ishin shumë të vogla, madje edhe drita nuk kishte. Duhej të improvizonim përmes gjeneratorëve energjinë elektrike që të funksiononim," thotë z. Luzha.

Për bindjet e tij dhe rolin kyç në zhvillimet në Kosovë kundër regjimit ish-jugosllav, Berat Luzha është dënuar dy herë me burgim.

Edhe pas kaq vitesh, ai vijon aktivitetin e tij në fushën e botimeve e shkrimeve të ndryshme, por edhe si aktivist për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe ish-të burgosurve politikë.

Gazetar: Bujar Muçmata

/rtsh.al/