RTSH 24 Live

Kulturë

Muzeu "Marubi" shënon rekord historik, 23 mijë vizitorë në vitin 2024

31/01/2025

Muzeu "Marubi" shënon rekord historik, 23 mijë vizitorë në vitin 2024

Viti 2024 për Muzeun Kombëtar të Fotografisë "Marubi" shënoi vitin më të suksesshëm që nga hapja e tij.

Programet dhe ekspozitat e këtij muzeu u ndoqën nga rreth 23 mijë vizitorë.

Krahasuar me vitin 2023, "Marubi" shënoi një rritje vizitorësh prej rreth 17 për qind, ku vendasit janë vizitorët më të shumtë.

"Nëse do ta bëjmë krahasimin sipas shteteve, patjetër që vizitori shqiptar është në vend të parë, por edhe numri i vizitorëve të huaj është në rritje. Ishin francezët, italianët, gjermanët ata që e vizituan më së shumti muzeun," tregon drejtori i muzeut, Luçjan Bedeni.

Një fokus të veçantë, Muzeu “Marubi” pati për ekspozitat e zhvilluara falë bashkëpunimeve të vazhdueshme.

"Viti që lamë pas shënoi bashkëpunime të rëndësishme të muzeut 'Marubi' me institucione mjaft prestigjioze europiane: ekspozita me Fondacionin 'Alinari' për fotografitë e Firences, një tjetër bashkëpunim në aspektin hulumtues 'Vëllezërit Kodheli dhe Kolë Idromeno', dhe në vazhdën e këtyre bashkëpunimeve programi u përmbyll me ekspozitën e Gregory Crewdson," thotë z. Bedeni.

Viti 2025 për Muzeun Kombëtar të Fotografisë "Marubi" pritet të jetë një vit i ngjeshur me programe e nisma të reja për fotografinë.

Gazetar: Marjo Gjini

/rtsh.al/