RTSH 24 Live

Aktualitet

Proda, oficerëve të policisë: Jepni siguri në zgjedhje, jashtë politikës. Ndryshe, përjashtoheni

3 orë para

Proda, oficerëve të policisë: Jepni siguri në zgjedhje, jashtë politikës. Ndryshe, përjashtoheni

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, së bashku me drejtorët e Departamenteve të Policisë Kriminale, Rendit dhe Sigurisë Publike, si dhe të Kufirit dhe Migracionit duke folur në analizën vjetore të punës së strukturave policore në qarqet Vlorë dhe Fier, ka vlerësuar angazhimin e strukturave policore gjatë vitit 2024 për përballimin me sukses të sezonit turistik.

Në analizat vjetore ishin të pranishëm drejtuesit e Prokurorive respektive, të Gjykatave dhe të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), ku Doda inkurajoi drejtuesit e rinj të strukturave policore që të forcojnë më tej këtë bashkëpunim, jo vetëm me agjencitë ligjzbatuese, por edhe me qytetarët, të cilët janë aleati më i rëndësishëm për përmbushjen e misionit të Policisë së Shtetit.

Pavarësisht sfidave të shumta, viti 2025 duhet të shënojë përmirësim të treguesve të punës, me angazhimin maksimal të drejtuesve të strukturave policore dhe fokus të veçantë në parandalimin e krimeve kundër personit. Prioritet do të jetë sigurimi i informacionit për çdo person me precedent kriminal, si dhe rihapja dhe zbardhja e ngjarjeve të vjetra kriminale, të cilat shpesh janë dhe burim për ngjarje të reja. Sigurimi i inteligjencës policore dhe hetimet proaktive janë thelbësore për goditjen e kultivimit, prodhimit dhe shitjes së kanabisit dhe drogave të forta, si dhe për luftën kundër krimeve ekonomike e financiare dhe trafiqeve të paligjshme.

Një tjetër çështje ku u ndal Drejtor Proda ishte rëndësia e njohjes së gjuhës angleze nga punonjësit e Policisë Rrugore, të Patrullave të Përgjithshme dhe të Policisë Kufitare në pikat e kalimit, duke e konsideruar këtë si një domosdoshmëri për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve dhe turistëve”, thuhet në njoftimin e policisë.  

Drejtori i Përgjithshëm ka qenë i prerë në porositë për zbatimin me korrektësi dhe paanshmëri të ligjit zgjedhor nga ana e punonjësve të Policisë, të cilët duhet të jenë të distancuar nga çdo ndikim apo veprimtari me karakter politik dhe të fokusohen në përmbushjen e detyrave, duke garantuar rendin dhe sigurinë përgjatë fushatës zgjedhore.

“Cilido që cenon imazhin e Policisë së Shtetit do të largohet menjëherë nga radhët e saj. Në vijim, Drejtor Proda kërkoi nga strukturat e hetimit të krimit që krahas hetimit të paligjshmërive, prioritare të kenë dhe krimet zgjedhore. Drejtuesit e Prokurorive respektive vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm mes Drejtorive Vendore të Policisë dhe Prokurorive dhe siguruan Drejtorin e Përgjithshëm se ky bashkëpunim do të konsolidohet më tej. Ata theksuan se rritja e cilësisë së punës hetimore dhe operacionale do të jetë prioritet në luftën kundër krimit të organizuar, krimit të rrugës dhe çdo paligjshmërie që cenon jetën, shëndetin dhe pronën e qytetarëve”, theksohet më tej në njoftimin e Policisë së Shtetit.

/rtsh.al/