Autoritetet italiane u vunë menjëherë në lëvizje për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Apelit të Romës, e cila vendosi të pezullojë vendimin për ndalimin e emigrantëve dhe çështjen t'ia kalojë Gjykatës Europiane të Drejtësisë.
43 emigrantët, të cilët mbërritën me anijen "Casiopea" mëngjesin e së premtes në Shëngjin dhe u vendosën në kampin e Gjadrit, u kthyen në Itali. Operacioni u zhvillua paraditen e së shtunës nga autoritetet italiane në bashkëpunim me ato shqiptare.
Emigrantët u zhvendosën rreth orës 13:00 nga Gjadri drejt Portit të Shëngjinit dhe nga aty u morën nga anija e rojës bregdetare italiane, ku do të riatdhesohen në vendet e tyre të origjinës. Kjo është hera e tretë që emigrantët e sjellë në Shqipëri rikthehen në Itali dhe në këtë mënyrë qendrat pritëse të emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër kanë ngelur sërish bosh dhe ngelet në pikëpyetje funksionimi ose jo i marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për refugjatët, deri në një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, i cili do të merret më 25 shkurt.
Qeveria italiane ka investuar miliona euro në ngritjen e këtyre strukturave, duke sjellë mjaft polemika dhe debate mes opozitës dhe mazhorancës në shtetin fqinj.
/rtsh.al/