Kërkesat për divorc në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Korçës kanë shënuar një rritje të ndjeshme vit pas viti.
Sipas të dhënave nga avokatët dhe autoritetet lokale, emigrimi është një nga faktorët kryesorë që po ndikon në këtë fenomen, duke i shtyrë shumë çiftet që jetojnë jashtë vendit të kërkojnë zgjidhjen e martesave të tyre në Shqipëri.
"Largimi i njërit prej bashkëshortëve nga Shqipëria, në një shtet tjetër, ndikon që martesa të humbë qëllimin për të cilin është lidhur”, shprehet avokati Esmerald Xhafa.
Ndërsa sociologia Maria Dojçe shpjegon se rritja e kërkesave për divorc lidhet edhe me ndryshimet në vlerat dhe moralin shoqëror, ku shumë individë po e shohin martesën si një institucion të dobët dhe të pasigurt.
“Kemi një degradrim, ku të dyja gjinitë bien pre euforisë të materializmit dhe anashkalojnë vlerat morale, njerëzore për të krijuar një familje”, tha Dojçe.
Në vitin 2022, Gjykata e Korçës ka regjistruar 398 kërkesa për divorc, ndërsa në vitin 2023 numri i kërkesave arriti në 402. Ndërsa vitin e kaluar janë regjistruar 750 kërkesa, që dëshmon një trend në rritje të divorceve.
Gazetare: E. Fili
/rtsh.al/