RTSH 24 Live

Aktualitet

Akuzohen se lejuan kalim të paligjshëm të kufirit, Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq 8 policë të Rinasit

5 orë para

Akuzohen se lejuan kalim të paligjshëm të kufirit, Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq 8 policë të Rinasit

Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim 8 punonjës të policisë së kontrollit kufitar në Rinas, të cilët akuzohen se lejuan disa persona të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme. Po ashtu është dërguar për gjykim edhe pronari i një agjencie udhëtimi, i cili u bë edhe shkak për zbardhjen e të gjithë skemës korruptive.

Ai ishte ndaluar më parë me lëndë narkotike, ndërsa bisedat në telefonin e tij zbuluan komunikimet me punonjësit e policisë në Rinas.

Pronari i agjencisë turistike, personi me inicialet E.S., me qëllim rritjen e përfitimeve të kompanisë së tij, rekrutonte dhe siguronte pasagjerë për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së, duke marrë përsipër kundrejt pagesave monetare, ekstra vlerës së biletës së udhëtimit, edhe kalimin në dalje të territorit të Shqipërisë të personave të cilëve për arsye të ndryshme nuk mund të udhëtonin.

Për këtë qëllim ai krijoi marrëdhënie me punonjësin e policisë të kontrollit kufitar, shtetasin B.T të cilit kundrejt premtimit të shpërblimit në vlera monetare, i kërkonte kalimin e tyre. Polici, pas kërkesave dhe porosive të ndryshme që merrte e udhëzonte shtetasin E.S. se tek cila kabinë duhet paraqiteshin pasagjerët, vlerën monetare në këmbim, si dhe mënyrën e dorëzimit të tyre, duke marrë përsipër edhe vendosjen e vulave fiktive në dokumentet e tyre të udhëtimit, me qëllim shmangien e prapësimeve nga vendi që kishin si destinacion.

Për rastet kur ai nuk ishte në shërbim, këto pasagjerë ia kalonte për përpunim kolegëve të tij, me detyrë po punonjës të policisë kufitare. Në lidhje me rastet të cilat kishin problematika të tjera, në varësi të tyre përcaktoheshin edhe vlerat monetare në këmbim të lejimit të kalimit dhe vlerat varionin nga 50-500 euro.

Sipas hetimeve, punonjësi i policisë, me inicialet B.T., për periudhën Prill 2023 – Mars 2024, lejoi daljen nga Shqipëria për 55 shtetas në shkelje të ligjit me ditë qëndrimi të konsumuara në zonën shengen dhe 10 shtetas të mitur, të papajisur me prokurë nga prindërit. Në të njëjtën mënyrë vepruan edhe inspektorët e tjerë të akuzuar, shtetasit S.Xh, E.M., A.D., Y.P., R.Sh., E.A., dhe A.H, të cilët për të njëjtën periudhë kanë lejuar kalimin e shtetasve të ndryshëm me ditë qëndrimi në konsumuara në zonën shengen apo që ishin deportuar nga vendet e BE si dhe të mitur pa prokurën e prindërve.

/rtsh.al/