RTSH 24 Live

Kulturë

Ditëlindja e parë pa Kadarenë, Gjirokastra mban mbrëmjen kushtuar shkrimtarit

29/01/2025

Ditëlindja e parë pa Kadarenë, Gjirokastra mban mbrëmjen kushtuar shkrimtarit

Një mbrëmje kushtuar gjeniut të letrave shqip u mbajt në ditëlindjen e 89-të të shkrimtarit Ismail Kadare. Shtëpia ku u lind e u rrit priti miq dashamirës, shkrimtarë e artistë, të cilët e sollën në kujtesë përmes prozës e poezisë, por edhe kujtimeve e mbresave që ata kanë nga takimet me të.

Botuesi i veprës së tij, Bujar Hudhri, kujtoi momentin kur Kadareja mori lajmin e djegies së shtëpisë, të cilën e quan ndryshe si themelin e veprës së tij.

Ishte viti 1999 kur u bënë së bashku në panairin e librit në Prishtinë.

"As e vrau mendjen fare, duke pasur parasysh se ku ishte në Kosovë, një vend i shkretuar nga lufta. Dëshira e tij ka qenë që kjo të ishte një shtëpi-muze, t'ia dhuronte qytetit të tij," u shpreh z. Hudhri.

Kjo mbrëmje kushtuar kolosit të letërsisë u organizua nga Qendra për Hapje dhe Dialog.

"... për ta kujtuar nëpërmjet rrëfimeve të njerëzve që e deshën, për ta kujtuar mbi të gjitha për trashëgiminë e tij të përjetshme, veprën e tij, e cila do i mbetet kohës, gjeneratave të reja," tha drejtoresha e Qendrës, Jetona Koçibelli.

Krijimtarinë e tij letrare, Kadareja e nisi që në vitet e gjimnazit, kur botoi dhe librin e tij të parë “Frymëzimet djaloshare” në vitin 1954.

Ndër veprat e tij më të shquara veçohen “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Dimri i madh”, “Kronikë në gur”, “Kush e solli Doruntinën” “Kështjella” “Pallati i ëndrrave”, “Dosja H” dhe “Darka e gabuar”.

/rtsh.al/