Në universitetin “Fan Noli” në Korçë, është shfaqur për herë të parë një film dokumentar shkencor “Vakëfet e Korçës”, i cili përmes fakteve, dokumenteve dhe rrëfimeve të shumë studiuesve ka sjellë për publikun, fizionominë e një krahine pak të njohur, por unikale jo vetëm për juglindjen e vendit por për gjithë rajonin.
“Vakëfet e Korçës”, është një material shkencor që sqaron historinë e lashtë të Korçës dhe sjell në vëmendje fizionominë e një krahine pak të njohur, por që sipas studiuesit Petrit Zeneli duhet të hyjë në tekste shkollore dhe në terminologjinë e institucioneve shtetërore.
“Filmi ishte premier, por është hera e parë që shfaqet një film-dokumentar i plotë shkencor ku argumenton dhe sqaron gjithë opinionin publik, sepse deri dje ka qenë pak i njohur si fakt, se mund të ekzistoi në qarkun e Korçës një krahinë e shenjtë “Vakëfe”. Faktikisht është një krahinë me territor të përcaktuar, me një shtrirje shumë të gjerë, me një emër të veçantë që i bënë nderë gjithë qarkut”- u shpreh studiuesi i historisë, Petrit Zeneli për RTSH.
Për realizimin e këtij dokumentari, gazetarja Erjona Pambuku thotë se janë dashur tre vite punë hulumtuese dhe studimore dhe një punë e madhe në terren.
Gazetarja Erjona Pambuku u shpreh se “pavarësisht dokumentacioneve që mund të gjenim nëpër arkiva, pavarësisht librave të shkruara nga akademik, historian, studiues duhej patjetër që të prekej terreni dhe të shkoje duke para nga afër çdo gjë që thuhej, shkruhej apo diskutohej. Puna në terren ka qenë një shkollë tjetër për të realizuar këtë film dokumentar. Në fakt sot është prezantuar vetëm pjesa e parë”
Ky dokumentar do të pasohet më një tjetër që do të ketë në fokus, themelimin e Korçës urbane nga Iljaz Bej Mirahori, që do të sjellë dokumente të patjetërsueshme direkt nga arkivi.
/rtsh.al/ Gazetare Eftjola Fili