RTSH 24 Live

Aktualitet

Të shtëna me armë zjarri në Malësinë e Madhe, dyshime për lidhje me një “shtëpi bari”  

3 orë para

Të shtëna me armë zjarri në Malësinë e Madhe, dyshime për lidhje me një “shtëpi bari”  

Disa detaje të reja janë zbuluar në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi një natë më parë në fshatin Linaj, në Bashkinë e Malësisë së Madhe, ku u regjistruan të shtëna me armë zjarri. Burime për RTSH kanë bërë të ditur se dyshimet janë të forta që ngjarja mund të ketë lidhje me një magazinë të përshtatur si “shtëpi bari”, ndërsa konflikti ka nisur që mbrëmjen e së premtes.

Sipas informacionit të disponuar, dy persona të maskuar, të cilët lëviznin me motor, kanë qëlluar me një armë tip shotgun në drejtim të një banese të familjes Kurtaj, duke dëmtuar kamerat e sigurisë. Pas ngjarjes, autorët janë larguar me motor në drejtim të panjohur.

Një natë më vonë, konkretisht mbrëmjen e djeshme, dy autorët e maskuar janë kthyer sërish në zonën e ngjarjes, duke lëvizur me të njëjtin motor. Ata janë pikasur nga anëtarët e familjes së dëmtuar, të cilët kanë tentuar t’i ndjekin për t’u sqaruar mbi sulmin e mëparshëm. Gjatë ndjekjes, njëri nga autorët ka hapur zjarr me një breshëri kallashnikovi në drejtim të familjarëve, duke i detyruar ata të tërhiqen.

Autoret kanë ikur me shpejtësi, duke lënë pas disa gëzhoja në vendin e ngjarjes. Policia ka shoqëruar disa persona të dyshuar që mund të kenë lidhje me këtë ngjarje, ndërkohë që hetimet vijojnë për zbardhjen e motiveve dhe identifikimin e autorëve.

Ka dyshime të forta se konflikti mund të lidhet me një sherr për një magazinë të përshtatur si shtëpi bari në atë zonë, duke bërë të mundur që ngjarja të ketë pasojë një grindje të fortë mes grupeve të interesuara. Policia po punon intensivisht për të zbardhur ngjarjen dhe për të garantuar sigurinë në zonë.

/rtsh.al/