Presidenti Bajram Begaj ka kthyer për rishqyrtim ligjin e ndryshuar "Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë".
Në analizën e bërë ndryshimeve në ligj, presidenti Begaj sqaron se nenet 58-125 të ndryshuara të ligjit për "Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë", synojnë të ndryshojnë 68 ligje të tjera, të cilat kanë në përmbajtjen e tyre dispozita zbatuese të inspektimit.
Sipas Begajt kjo sjell paqartësi dhe parregullsi duke rrezikuar të rrisë konfuzionin e insektareve por edhe të kuadrit normativ.
Presidenti shton se ndryshimi i 68 ligjeve që preken nga ndryshimet e ligjit për “Inspektimet” nuk i janë nënshtruar procedurës së rregullt që parashikon Rregullorja e Kuvendit, nuk ka konsultim publik për to dhe nuk ka një analizë të kostos financiare dhe deklarim nga qeveria që pranon mbulimin e kostove financiare për secilin prej tyre.
“Për ligjzbatuesit e aktit bëhet i vështirë identifikimi i aktit ndryshues kur titulli i ligjit nuk reflekton ndryshimin. Në rastin konkret, kjo vështirësi vjen e shumëfishuar, për shkak se ndryshimi prek 68 akte të paidentifikuara nga titulli i ligjit. Përditësimi i ligjeve të fushës nga institucionet e shumta që preken nga modifikimet e shkaktuara nga ky ligj mund të mos bëhet në mënyrë uniforme për shkak të kësaj paqartësie dhe parregullsie. Ndryshimet e mundshme ligjore eventuale rrezikojnë të rrisin konfuzionin e kuadrit normativ. Miratimi i një kuadri të ri ligjor të inspektimit p.sh. do të kërkonte shfuqizimin e ligjit nr. 99/2024, por bashkë me të do të shfuqizoheshin edhe dispozitat ndryshuese që janë bërë pjesë e tij në mënyrë të parregullt. Në të kundërt, shfuqizimi vetëm i dispozitave që kanë lidhje me inspektimin, do të mbante në këmbë dispozitat ndryshuese të ligjeve të tjera nën titullin çorientues "Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë".
Ky bashkim mekanik i disa ligjeve me natyra dhe objekt të ndryshëm në një ligj të vetëm shkakton potencialisht konfuzion, mbjell paqartësi, sjell pasiguri, komplikon dhe vështirëson zbatueshmërinë e ligjit. Të gjitha këto elemente, janë objekt i pashmangshëm vlerësimi në procedurën e kontrollit të kushtetutshmërisë që kryen Presidenti i Republikës, sepse kanë lidhje me parimin e shtetit ligjor, i cili është parimi bazë i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, thuhet në analizën e presidentit Begaj.
Lidhur me 57 nenet e ndryshuara që lidhen me mënyrën e organizmit të inspektorateve për të mos patur mbivendosje kompetencash si dhe mënyrën e rekrutimit të inspektorëve, presidenti shprehet se nuk ndikojnë në parimet kushtuese dhe se garantohet pavarësia funksionale e inspektorateve.
“Nga pikëpamja ligjore, për pjesën e parë të dispozitave të parashikuara vlerësojmë se në tërësinë e çështjeve që rregullohen dhe që ndryshojnë mënyrën e organizimit të inspektorateve, ngritjen e komisionit të rekrutimit dhe ecurisë në karrierë, si dhe konsolidimin e proceseve të inspektimit pa mbivendosje kompetencash, mund të garantohet pavarësia funksionale e inspektorateve dhe rritja e profesionalizmit të trupave inspektuese, duke përmbushur kështu qëllimin e miratimit të këtij kuadri ligjor. Thënë kjo, për nga përmbajtja, nenet 1-57 nuk bien në kundërshtim me parimet e sanksionuara në dispozitat kushtetuese”, arsyeton presidenti Begaj.
/rtsh.al/