RTSH 24 Live

Kosovë

BE e gatshme për masa ndëshkuese ndaj Kosovës dhe Serbisë, Borell: Të shtensionohet situata mes dy vendeve

27/06/2023

BE e gatshme për masa ndëshkuese ndaj Kosovës dhe Serbisë, Borell: Të shtensionohet situata mes dy vendeve

Nëse nuk shënohet përparim në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, BE do të marrë masa ndëshkuese ndaj Prishtinës dhe Beogradit. Kështu ka deklaruar kreu i diplomacisë europiane, Josep Borell një ditë më parë (26 qershor), pas takimit të ministrave të Jashtëm në Luksemburg, raporton DW.

Borell bëri me dije se nëse Serbia dhe Kosova nuk do të kenë përparim në dy kërkesat kryesore të BE-së, masat ndëshkuese ndaj dy vendeve, do të jenë politike dhe financiare.

Bashkimi Evropian i ka kërkesat e qarta: Nga Kosova kërkohet pezullimi i operacioneve policore në ndërtesat e komunave në veri dhe katër kryetarët e komunave përkohësisht duhet t’i kryejnë detyrat jashtë zyrave komunale. E nga Serbia ndërkaq kërkohet që të sigurojë që protestuesit të largohen nga ndërtesat e komunave njëkohësisht me largimin e policisë së Kosovës.

Borell shprehu nevojën për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri, pasi sipas tij, nuk zyrat komunale nuk mund të mbrohen përgjithmonë nga forcat e NATO-s.

"Pajtohemi që zgjedhjet duhet të mbahen. Nuk mund të kemi kryetarë komunash në zyrat që mbrohen nga forcat e NATO-s përgjithmonë, duke u zgjedhur me 2 ose 3 për qind të votuesve. Kjo nuk është një zgjidhje e qëndrueshme. Pra, nëse nuk është e qëndrueshme, duhet të zëvendësohet me zgjidhje të tjera dhe zgjidhja tjetër mund të vijë vetëm nga zgjedhjet e reja dhe kjo është ajo që duhet të bëjnë të dyja palët. Zgjedhje me pjesëmarrjen e serbëve, përndryshe do të jetë e njëjta situatë si sot”, tha Borrell.

/rtsh.al/