Deputeti demokrat Gazment Bardhi apeloi të hënën (12 shkurt) që fraksionet politike brenda partisë më të madhe opozitare të bashkohen për një qëllim: largimin e kryeministrit Edi Rama.
Z. Bardhi deklaroi nga selia blu se megjithëqë PD-ja gjendet në një pozicion më të mirë nga një vit më parë, përçarja mes demokratëve ka sjellë mosbesim te votuesit dhe ka vënë në pikëpyetje vetë ekzistencën e partisë.
"Vendi nuk e kishte dhe nuk e ka luksin të humbasë edhe opozitën, prandaj prej më shumë se 1 viti së bashku me shumë kolegë brenda grupit parlamentar kemi bërë përpjekje të sinqerta, ndonjëherë edhe me kosto personale, për t’u rikthyer demokratëve shpresën tek partia e vet, tek Partia Demokratike.
Shumë do të donin që gjërat të mos kishin shkuar keq mes ne demokratëve, shumë të tjerë do të donin që bashkimi të kishte ndodhur më shpejt. Megjithatë, jam i bindur se sot, kur grupi parlamentar kthehet i bashkuar në shtëpinë e vet, kjo është një ditë e mirë për demokratët, për opozitën, për Shqipërinë!" deklaroi z. Bardhi.
Deputeti e konsideroi bashkimin e gjithë demokratëve si rruga e vetme për një mendje racionale.
"Partia Demokratike me aktin e bashkimit, pas një udhëtimi në errësirë, i kthen dritën vetes dhe duhet ti kthejë shpresën shqiptarëve. Me këtë motiv, ne do të jemi në çdo cep të Shqipërisë për t’i dhënë shpresë të rinjve, burrave dhe grave që duan të ndërtojnë këtu një të ardhme për vete dhe për familjet e tyre. Jo më përçarje! Jo më konflikt! Ne do të punojmë së bashku për të shndërruar opozitën e sotme në qeverisjen e nesërme. Mbi këtë parim duhet të ndërtohet çdo marrëdhënie dhe duhet të jetë i mirëpritur cilido. Të flasim mbi ide, mbi parime, jo mbi individë.
Prania jonë sot këtu do të thotë mirëkuptim, respekt për mendimin ndryshe. Ne jemi të bashkuar në diversitet, duke ruajtur secili qëndrimet tona, sepse ne kemi më shumë gjëra që na bashkojnë sesa nga ato që na kanë ndarë deri dje. Lufta jonë e vërtetë është lufta pa kompromis dhe pa u lodhur për të larguar Edi Ramën nga pushteti. Një model qeverisës i zhytur në korrupsion dhe krim. Në duhet ti japim vendit një qeveri dinjitoze, në shërbim të qytetarëve," përfundoi z. Bardhi.
/rtsh.al/