RTSH 24 Live

Ekonomi

Autostrada Elbasan-Lekaj, nënshkruhen 6 kontratat me vlerë 148 mln euro, punimet do zgjatin 24 muaj

10/01/2025

Autostrada Elbasan-Lekaj, nënshkruhen 6 kontratat me vlerë 148 mln euro, punimet do zgjatin 24 muaj

Ndërtimi i autostradës Elbasan – Lekaj do të kushtojë 148 mln euro, me TVSH.  
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nënshkruar kontratat me kompanitë që u shpallen fituese e që do të zbatojnë punimet në 6 lotet e këtij aksi. 
Me nënshkrimin e kontratave i hapet rruga nisjes së punimeve që sipas dokumenteve të tenderit do të zgjasin 24 muaj apo thënë ndryshe në përmbyllen në dhjetor 2026.

Elbasan - Lekaj është një nga segmentet e Korridorit 8.  Ai  ka një gjatësi prej 40.7 km. Ai kalon në rajonet Elbasan (Bradashesh, Shirgjan, Gjegjan, Cërrik, Papër), Peqin (Pajovë, Shez, Gjocaj, Peqin, Karine) dhe Kavajë (Sinaballaj, Rrogozhinë). Autostrada nis në afërsi të ish- Kombinatit Metalurgjik në Elbasan dhe përfundon në Lekaj, në afërsi të Rrogozhinës. Shpejtësia e lejuar do të jetë në intervalin 90 - 140 km/orë.

Korridori 8 konsiderohet si projekti kryesor i infrastrukturës në Shqipëri, ndërsa aktualisht është duke u punuar edhe në 8 lote të tjera, nga Elbasani në drejtim të Qafë Thanës. Kjo është vepra publike, që do të marrë dhe pjesën më të madhe të fondeve buxhetore rrugore për vitin 2025, me rreth 8.8 mld lekë të planifikuara.

/ rtsh.al /