Nuk ishte aspak rastësi që në ditën e inagurimit të Donald Trump si president i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, piktori shqiptar Avni Delvina hapi ekspozitën unike të titulluar "Triumf".
Ky gjest i mirëmenduar reflektonte admirimin e Delvinës ndaj figurës dhe filozofisë së Trump.
"Kjo është një punë tetëvjeçare. Mbështetja ime artistike nuk ka munguar, domethënë jam dedikuar në këtë drejtim me krijimtarinë time në rrjetet sociale, gjithmonë duke i dedikuar grafika. Fitorja e tij qe një entuziazëm i madh për të gjithë ne që besojmë te presidenti Donald Trump," shprehet piktori.
Ekspozita "Triumf" u shoqërua me një jehonë të gjerë, duke e bërë Delvinën një zë unik në artin politik bashkëkohor.
Puna e tij shkoi përtej kufijve, duke tërhequr vëmendjen edhe të medieve ndërkombëtare.
"Fjala 'triumf' qe shumë e gjetur: luhet midis emrit Trump dhe triumf. E bëri efektin edhe në mediet botërore, duke nisur nga Kanali 5 në Francë, për të mos thënë qindra medie botërore, që e kanë dhënë si lajm," thotë z. Delvina.
Seria e veprave artistike paraqet tema të fuqishme, si triumfi personal, sfidat politike dhe ndikimi global.
Në morinë e punimeve, piktori ndalet tek njëra prej tyre.
"Faktikisht njëra prej gjërave më domethënëse është ajo e presidentit Regan, të cilin e kam interpretuar me orët e buta, të shtrembra të [Salvador] Dalisë. Ideja e kohës... Dhe me thënien e tij të famshme është titulluar si grafikë 'Liria nuk është më larg se një gjeneratë për t'u humbur'. Kështu që Donald Trump ishte personazhi i duhur, protagonisti i duhur për të mos ndodhur ajo që ka thënë presidenti Ronald Regan," tregon artisti shqiptar.
Ekspozita Triumf do të qëndrojë e hapur deri në datën 26 janar në ambientet e Piramidës së Tiranës.
Gazetare: Katerina Kule
/rtsh.al/