“Petra Kelly, vepro tani!” është portreti i një gruaje të pazakontë që solli në Evropë aktivizmin përmes mosbindjes civile pa dhunë. Themeluesja e të Gjelbërve në Gjermaninë Perëndimore ndryshoi mënyrën e të bërit politikë brenda dhe jashtë Bundestagut në vitet ’80. U vra nga shoku i saj i Lëvizjes për Paqen, i dyshuar si bashkëpunëtor i Stasit.
Regjisorja Doris Metz ndan në “Artes” vitet e kërkimit në arkiva për të sjellë figurën publike dhe private të Petra Kellyt.
Intervista e regjisores Doris Metz në “Artes” me gazetaren Elsa Demo
Elsa Demo: Doris Metz, falemnderit që jeni sonte me ne. Ishte kënaqësi për mua që po takoja për herë të parë figurën e Petra Kelit dhe po zbuloja një grua jo të zakontë, një njeri politik, sikurse e thotë ajo vetë në dokumentarin tuaj: “Nuk jam politikane, jam person politik.” Ka ndryshim mes tyre, apo jo?
Doris Metz: Për atë vetë ndryshimi ishte i thellë, sepse nuk e shihte politikën si biznes, por si diçka të gjallë, që buron nga përvojat e jetës, nga interesimi për njerëzit, për t’ia bërë gjithkujt jetën më të mirë. Me pak fjalë, ishte një pikëpamje krejt tjetër ajo e saja. Kërkonte të ndryshonte jo vetëm subjektet politike, por të ndryshonte politikën në vetvete. Ishte kjo arritja e saj më e madhe: përpjekja për të ndryshuar politikën.
Kur e keni takuar, d.m.th. kur ishte hera e parë që e keni parë?
Si shumë të rinj të brezit tim, unë isha anëtare, ose më saktë, isha pjesë e lëvizjeve paqësore në fillim të viteve ’80. Të gjithë të rinjtë gjermanë kërkonin ndryshime politike me anë të demonstratave madhështore që po ndodhnin në Bon, në kryeqytetin tonë të vjetër, ku them se mund të ishin mbledhur rreth 400 mijë vetë.
Çfarë bënit ju në Bon?
Unë jetoja në Jug, por mjaft njerëz nga anembanë Gjermanisë kishin ardhur për të kaluar përmes Bonit dhe për të demonstruar kundër NATO-s, që kërkonte të sillte armatime të reja në Gjermani, ky front i hershëm i problemeve mes Lindjes dhe Perëndimit. Siç dihet, atë kohë, Gjermania ishte e ndarë dhe Amerika donte të sillte raketa të reja bërthamore, t’ia shiste Gjermanisë. Ishte një ndeshje e fortë në fillim të viteve ’80, ishte 10 tetori i 1981-shit. Kjo ishte hera e parë kur pashë Petra Kelin. Ishte e vetmja grua në skenë që i fliste asaj turme madhështore. Ishte e veçantë dhe zemërhapur.
Dhe çfarë imazhi ruani prej saj?
E brishtë dhe e re, me zë të fuqishëm që i rrëmbente njerëzit. Nuk iu fliste thjesht njerëzve, por zemrave të tyre, i shtynte të vepronin, të ishin pjesëmarrës, për të ndihmuar në ndryshimin e politikës. Ky ishte dallimi kryesor dhe ajo ishte befasuese, këmbëngulëse, magjepsëse, oratore pasionante.
Një nga të intervistuarit në dokumentar thotë se ajo kishte aftësinë që t’i bënte përshtypje publikut, të krijonte një gjendje që mishërohej në gjestet e saj. Ka qenë pikërisht kështu që prej fillimit?
Po, sepse ajo u rrit në Amerikë dhe u njoh me lëvizjen kundër luftës në Vietnam, ishte e lidhur ngushtë me idetë e Martin Luter Kingut dhe me planin e tij për mosbindje civile. Të gjitha këto nocione, për të pasur një identitet dhe për të tërhequr vëmendjen e publikut, ishin shumë përpara politikës gjermane të viteve tetëdhjetë. Ajo i solli në Evropë këto ide të reja dhe, në njëfarë mënyre, që herët ishte figurë mediatike. Kjo nuk është pozë për të prezantuar veten, nuk është narcisizëm. Ajo bën qëndresë për çështje aktuale dhe është e pathyeshme. I nxit njerëzit dhe u qëndron arsyeve, motiveve dhe bindjeve të saj. Mishëronte një forcë të re femërore, një lloj ideje për aftësinë drejtuese femërore, në kuptimin e vërtetë të fjalës.
Në një kohë kur njerëzit nuk ishin aq të vetëdijshëm për mizogjininë.
Jo, aspak. Nga përgatitjet dhe kërkimet e thelluara për këtë dokumentar, kuptova sa shumë e urryer ishte ajo për të djathtët, sa shumë është vënë nën presion. Por atë kohë askush nuk donte t’ia dinte, ndryshe nga sot, kur dimë më shumë. Në Gjermaninë e viteve tetëdhjetë, rruga për të bërë politikë ishte tejet e ngushtë, mashkullore dhe nacionaliste. Petra Kelin ata e quanin “një grua të vogël dhe të marrë”. “Nuk është e vërtetë”, thoshin, “nuk ka mundësi”. Gjermania ishte e vërbër nga syri i djathtë, siç themi ne, për të parë rreziqet.
Ka një moment kur një gazetar nga e djathta e pyet “ke fjetur me atë burrë?”
Është e vështirë të gjesh materiale dhe prova, dhe jo narrativa të gabuara për të, sepse vërtet që të tilla ka jo pak. Prandaj doja të sillja një bazë të mirë kërkimore për të provuar nëse janë të vërteta ato histori.
Mund të përmendni ndonjë prej atyre portretizimeve të gabuara?
95% e gjermanëve flisnin për Petra Kelin, flisnin për vetëvrasje të dyfishtë. Nuk ishte vetëvrasje, ishte feminicid. Kaq e paprekshme është kjo histori, sa gjatë turit tonë, me rastin e daljes së filmit në kinema në muajt e shkuar, jemi ndeshur me këtë argument të njerëzve: pse, a nuk ishte vetëvrasje e dyfishtë?! Është ngulitur fort ai prezantim i parë që media i ka bërë dikur. Tridhjetë vjet më pas, është e vështirë ta përgënjeshtrosh. Madje mendoj se në vitet tetëdhjetë nuk njihej as fjala feminicid. Atë e vranë. Kaq luftarake për jetën sa ishte ajo, nuk do ta vriste kurrë veten.
Ju përmendi se humbja e së motrës nga kanceri i syrit, ishte momenti i parë që e nxiti Petrën të fillojë të angazhohet dhe të bëhet aktiviste.
Personi politik dhe aktivistja tek ajo e ka bazën tek përvoja e jetës. Që këtu ajo është ndryshe. Në moshën 9-vjeçare, motra e saj e vogël, Grejs, vdiq nga një kancer i tmerrshëm. Petra ishte si nënë për atë që duhet të ketë qenë një fëmijë i adhurueshëm dhe i mrekullueshëm. Kjo vdekje e dërrmoi. Ajo donte të luftonte kundër lëndëve radioaktive, kundër industrisë së vdekjes dhe stacioneve civile bërthamore, kundër industrisë së armëve po ashtu. Ky ishte thelbi i luftës së saj, krahas udhëtimeve të para në Nagasaki, në Japoni. Ajo kishte parë vuajtje me sy nëpër spitale. Në mesin e viteve shtatëdhjetë viktimat e bombës vdekjeprurëse në Hiroshima arrinin në qindra-mijëra. Për një kohë të gjatë këto ishin dy burimet kryesore të luftës së saj politike.
Nga ana tjetër ishin nëna dhe gjyshja që e mbështetën mjaft. Gjyshja e pati mësuar të mos i bindej “kishës dhe klubit të meshkujve”.
Edhe kjo ishte e parakohshme në ato vite, sidomos për një gjyshe, me të cilën Petra ishte shumë e lidhur dhe ndikimi i saj tek mbesa ishte i pamatë. Kur vajza kthehej nga shkolla, gruaja nuk i tregonte përralla, por çfarë kishte lexuar në “Spigel”, një revistë politike, dhe gjithçka që i mësonte asaj ishte edukim i një krejt tjetër lloji. Në gjermanisht ka një fjalë të veçantë – Kriegsvertver – për dikë që ka humbur të shoqin në luftën e dytë botërore dhe i duhej të ishte e fortë dhe e pavarur, forcë që ia transmetoi mbesës së vet.
Martin Luter King-u ishte model udhëheqës, modeli i tij i mosbindjes frymëzoi aktivizmin e saj. Mendoni që ajo e zgjeroi dhe e tejkaloi atë model qëndrese?
Ajo i solli këto koncepte në Evropë, sepse, së pari, për shoqërinë gjermane pas regjimit nazist, ishte si një betejë politike prurja në shtëpi e një plani të tillë aktivizmi. Mikesha e saj Kora Uajz na tha, vetëm dy javë më parë kur u ndodhëm në Nju Jork për premierën amerikane të filmit, se Petra ishte stratege lëvizjesh, ideatore lëvizjesh, në esencë të të cilave ishin idetë e mosbindjes civile. Duhet të dalësh në shesh për qëndrimet e tua, mund ta ndryshosh shoqërinë nëse beson tek jodhuna.
Mosbindje pa dhunë, është me rëndësi ta theksojmë këtë, sepse tani që flasim, qarkullon në Shqipëri koncepti i mosbindjes civile nëpërmjet dhunës.
Këtë besonte ajo, ndryshimin që mund të vijë pa dhunë, këtu qëndronte forca e saj, duke e bërë të qartë se ekziston mundësia për ta ndryshuar shoqërinë së brendshmi.
“Para se t’u drejtohesh institucioneve duhet t’u flasësh njerëzve, zemrave të tyre”... Në vitin 1982 ajo bashkëthemelon Partinë e Gjelbër.
Organizimet kishin filluar më përpara. Hapat e parë në politikë i ka në Parlamentin Evropian, në vitin 1979, por në Gjermani i ka, po, në vitin 1982.
Sipas saj, “Partia e Gjelbër është një parti anti-parti”. Çfarë do të thotë?
Është krijim i saj kjo “një parti anti-parti”. Ajo e di që nuk mjafton të jesh lëvizje, duhet ta kesh njërën këmbë në parlament, por parti anti-parti do të thotë të mos jesh pjesë e institucionit dhe të mos korruptohesh përmes institucionit. Ideja e saj ishte për të ndryshuar parlamentin dhe politikën. Me fjalë të tjera, parti anti-parti do të thotë të shkosh në parlament, të punosh në krah të opozitës dhe të mos bëhesh pjesë e establishmentit. Një parti antiestamblishment.
Është e rëndë ta shohësh tek flet në parlament dhe si e trajtojnë anëtarët e parlamentit, si i kundërvihen. I kujtojnë Roza Luksemburgun “terroriste”, një tjetër shembull për të...
Sepse ajo e admironte Roza Luksemburgun. Në ato vite qeveria gjermane ishte mashkullore në masën 95%. Para se të Gjelbrit të hynin në parlament, ky ishte një biznes burrash pa gra. Kur hyjnë në skenë një grup i vogël i parlamentarëve të Gjelbër, 50% e të cilëve ishin gra, tabloja ndryshon. Petra Keli ishte udhëheqëse me dinjitet dhe e sulmonin, sepse ajo ishte fytyra e të Gjelbërve. Pa të, partia nuk do t’ia kishte dalë të hynte në parlament. Agresioni ishte kryesisht ndaj saj, ishte shumica konservative që e sulmonte. Ishte një kohë kur Gjermania ishte e ndarë nga një mur, në shtetin socialist të lindjes dhe....
Por ajo e thyen murin dhe shkon të takojë Honekerin dhe i kërkon të vizitojë të burgosurit politik. Shumë e guximshme!
Sepse ideja e saj për lëvizjen paqësore ishte më e gjerë, nuk i takonte vetëm kësaj pjese të murit, por edhe Gjermanisë Lindore. Ajo përballet me Honekerin pikërisht me idetë e tij për paqen, që si vend socialist gjithnjë e deklaronte veten si më i madhi shtet paqësor. Në diskutimin me të, Petra e vë përballë, e sulmon, dhe nga ana tjetër vepron për të ndihmuar opozitën, lëvizjen për të drejtat e njeriut. Pra, ajo ishte shumë më përpara se biznesi politik i atyre viteve. Ajo u hap sytë dhe në Bon, në Parlament, u sulmua si revolucionare, si socialiste, njëlloj si Roza Luksemburgu, vetëm sepse po bashkëvepronte me gjermanët e Lindjes.
Me interes është tregimi për lidhjet e veçanta që Petra Keli kishte, për shembull, me artistë të nivelit të Jozef Bojsit, artist performues, dhe ju duhet të jeni me fat që keni arritur të gjeni materiale arkivore si këto.
Folëm pak më parë për narrativat e gabuara. Unë doja të gjeja xhirime për ta treguar atë ashtu siç ka qenë në aspektin privat, por edhe nga xhirimet televizive zyrtare, si një vështrim i jashtëm. Pata fat që u lidha me të vëllain e Petrës, Xhon Kelin dhe ishte dhuratë e madhe që sigurova këtë material në 8 milimetër, për të bërë të qartë se familja ishte burim domethënës i fuqisë së saj. Ti shikon aty një person të dashur, mendjehapur, zemërbutë, një njeri i shkëlqyer, sepse në intervistat televizive ajo ndonjëherë duket ndryshe, mediat tregojnë një fytyrë tjetër të saj. Kështu që, për të folur për dikë që nuk jeton, doja të punoja me materiale të ndryshme, që janë si ngjyrat dhe të gjitha së bashku krijojnë njeriun dhe tregojnë gjithë shkëlqimin e Petra Kelit.
Në Berlin ka një arkiv të pasur nga Fondacioni i Gjelbër “Hajnrih Bël”, një pjesë e mirë e të cilit i takon Petra Kelit. Ajo kishte grumbulluar materiale që nga periudha e hershme e viteve në Amerikë, e më pas nga 10 vitet në Bruksel. Ishte fat që po zbuloja ku kishte qenë, dhe të gjeja sërish fjalimet e saj që ishin transmetuar në radio apo televizion. Kërkimet më morën 1 vit e gjysmë kohë. Doja të jepja një perspektivë globale të aktivitetit të saj. Në vitet ‘70 ajo kishte qenë në Japoni, Australi, kudo, pra nuk mund të punoja vetëm me materiale arkivore gjermane.
Më është dashur të bëj shumë kërkime dhe biseda pa fund për të gjetur njerëz të tjerë që edhe ata kishin xhirimet e tyre. Për shembull, skena me Jozef Bojsin, i përket një studiuesi të Bojsit që e ka realizuar me kamera personale. Duhet t’i bindësh njerëzit, t’i kthesh dyzet vjet pas, për t’i pasur ato materiale në VHS, dhe ti nuk e di asnjëherë nëse ajo kasetë do funksionojë apo do jetë prishur. Është me rrezik dhe është e vetmja mënyrë si mund të punosh.
Papritur hyn në skenë ky burrë, i quajtur Gert Bastian. Është shumë e butë mënyra që keni zgjedhur për të sjellë në publik jetën private të Petra Kelit. Më ka pëlqyer veçanërisht diçka që ajo thotë për jetën e saj private: “Mbi të gjitha, unë do dua të jetoj atë jetë që u sugjeroj dhe të tjerëve.” Shumë e bukur. Pra, me jetën tënde mund të bësh ç’të duash, por kur je figurë publike, nuk mund të predikosh. Ndaj më pëlqen ky deklarim i Petra Kelit... Ndër të tjera ajo ishte e survejuar nga Stasi?
Po, gjithë kohën dhe çdo herë kur ka udhëtuar në ish-Gjermaninë Lindore. Kishte dy emra-kod Pute 1 dhe Pute 2 që në anglisht do të thotë “gjeldeti”. Pute 1 ishte Petra Keli dhe Pute 2 ishte Gert Bastian. Por të gjithë ishin të survejuar në ato vite.
Akoma sot nuk dihet nëse i dashuri i saj, ishte “një nga ata”, ishte bashkëpunëtor i Stasi-t, i përfshirë me policinë sekrete?
Në periudhën e fundit shërbimi sekret ia doli të shkatërrojë shumë materiale, sidomos ato për agjentët e jashtëm. Kjo do të thotë se 95% e dosjeve të Stasi-t janë zhdukur. Ndoshta mund të gjendet diçka në Moskë, sepse KGB-ja ishte e përfshirë dhe Gert Bastian-i kishe qenë gjeneral në rangun e lartë të ushtrisë, përpara se të bëhej pjesë e një grupi gjeneralësh në Lëvizjen për Paqe. Ishin nëntë gjeneralë nga ish-shtete të NATO-s dhe sot, studiuesit kanë zbuluar se, i gjithë grupi paguhej nga KGB-ja ruse. Pra, ka shumë kontradikta dhe pyetje që ngrihen. Pak para se ajo të vritej në verën e vitit 1992, në moshën 44-vjeçare, ishte një periudhë kur edhe një koleg i Gert Bastianit në Partinë e Gjelbër, rezultoi se kishte punuar për Stasi-n...
Nëse Petra do të zbulone se Gert Bastiani kishte bashkëpunuar, do të ishte fundi i gjithçkaje. Ai do të fajësohej jo vetëm zyrtarisht, por edhe privatisht, si njeri. Ka shumë kundërthënie nga miqtë e ngushtë. Dihet që ajo donte të shihte dosjet e Stasit, të viktimave, ndërsa ai punonte kundër kësaj gjëje prej një viti e gjysmë, deri në ditët e fundit kur ajo ishte gjallë. Mbetet e hapur pyetja: përse ai nuk donte t’i shihte dosjet e Stasi-t. Pra, ka arsye, por nuk ka prova.
Keni punuar gazetare për “Süddeutsche Zeitung”, për sa vjet?
Për 10 vjet, për paqen politike po edhe kulturore. Gjithnjë kam qenë midis... Në fillim të viteve ‘90 pata fatin të shkoja në Gjermaninë Lindore si gazetare. Në njëfarë mënyre jam dëshmitare okulare e ndryshimeve që ndodhën në shoqërinë gjermane në ato vite.
Si rezulat i kësaj erdhi dorkumentari “Baballarët fantazmë” në vitin 2005...
Po, një dokumentar për historinë e Gjermanisë. Kam bërë më parë dokumentarë të vegjël për televizion, por “Baballarët fantazmë” është dokumentari i parë me metrazh të gjatë, 90 minuta. Bën fjalë për djemtë e kancelarit Vili Brand dhe të spiunit të Gjermanisë Lindore, Gynter Giom, i cili solli rënien e kancelarit. Për mua është me interes të sjell një pikëpamje tjetër, nga pjesa e pasme e historisë, përmes syve të djemve të një kancelari dhe një spiuni. Matias Brand është sot aktor shumë i njohur. Kur kam realizuar këtë film ai ishte shumë i drojtur dhe i vështirë, nuk donte të fliste për të atin dhe të njihej si djali i Vili Brandit.
Dhe pas kësaj realizoni “Trans - I got light”. Çfarë ju pëlqen në zhanrin e dokumentarit?
Në njëfarë mënyre, së pari, ndihesh e privilegjuar ku siguron paratë për të bërë një dokumentar. Së dyti, këto janë vrapime në ditanca të gjata. Për dokumentarin mbi Petra Kelin kam punuar 4 vjet e gjysmë. Kjo është një mundësi t’i hysh në thellësi një fushe, të bësh kërkime të zgjeruara për të gjetur, përmbledhur, rizbuluar dhe për të sjellë në të tashmen atë që do të tregosh. Sepse nuk do t’ia vlente të tregoje historinë e dikujt që ka vdekur, që i takon historisë, por që nuk ka të bëjë fare me të tashmen, pa e sjellë në ditët e sotme. Duhet treguar sa aktuale është ajo histori. Kjo e bën dallimin. Ta bësh të qartë me punën tënde, të nxjerrësh një subjekt, një film si “Petra Kelli, act now”, për të prekur njerëzit në të tashmen.
Doris Metz, falemnderit për thellësinë, mënyrën delikate e të hijshme me të cilën na e prezantuat figurën e kësaj gruaje dhe politikaneje.
Falemnderit ju, për ftesën dhe bisedën.
Përgatiti: Elsa Demo
/rtsh.al/