RTSH 24 Live

Kulturë

Hap dyert Galeria e Artit në Lezhë, restaurohet fondi prej 86 veprash artistike

13 orë para

Hap dyert Galeria e Artit në Lezhë, restaurohet fondi prej 86 veprash artistike

Pas rikonstruksionit të plotë, Galeria e Artit në Lezhë ka hapur dyert për artistët dhe vizitorët.

I gjithë ambienti, i cili ndodhet në katin e parë të Pallatit të Kulturës "Ded Ndue Lazri" është rinovuar.

Krahas vendosjes së kornizave të reja dhe ndriçimit modern, janë restauruar të gjitha veprat dhe skulpturat të cilat kishin pësuar dëmtime, duke e kthyer Galerinë në një qendër të vërtetë të kulturës dhe krijimtarisë.

"Kemi eliminuar edhe kurbaturat e pikturave të realizuara në fibër, të krijuara për arsye lagështie, kohe, amortizimi," tregon Elona Kamshi, përgjegjëse e Pallatit të Kulturës.

Ky ambient i transformuar tërësisht do të jetë në dispozicion të të gjithë artistëve të artit pamor.

"Uroj që piktorët të na qasen, të vijnë, sepse këtu do të kenë dyert e hapura, por edhe një ambient komplet komod e bashkëkohor, që do u vihet në dispozicion," shton znj. Kamshi.

Galeria e Artit në Lezhë ka në fond prej 86 pikturash dhe skulpturash, ku me një hapësirë të rinovuar, vepra të përkujdesura dhe një përkushtim ndaj pasurimit të trashëgimisë artistike, është kthyer në një destinacion ideal për të gjithë ata që duan të zbulojnë dhe të përjetojnë bukurinë e artit.

/rtsh.al/