RTSH 24 Live

Kulturë

"Ëndërr në papafingo" ngjitet në teatrin "Skampa" në datat 16–18 janar

6 orë para

"Ëndërr në papafingo" ngjitet në teatrin "Skampa" në datat 16–18 janar

Pas suksesit në teatrin Bylis të Fierit, komedia "Ëndërr në papafingo" me regji dhe skenar të Leka Bungos pritet të ngjitet në skenën e Elbasanit.

Me një kastë të zgjedhur aktorësh, bashkëpunim mes teatrit "Bylis" dhe "Skampa", "Ëndërr në papafingo" përmes satirës përcjell drama të kaluara në vitet '70 dhe trajton temën e ndërtimit të familjes së re socialiste.

"Komedia ka të bëjë me korrupsionin moral, që është i gjallë edhe sot në Shqipëri. Ky është mesazhi kryesor i komedisë, duke e zbuluar para brezit të ri që nuk e ka njohur atë periudhë, por edhe për brezin tonë krijon emocione, sepse janë ato ndodhi, ato ngjarje dhe ajo psikologji e asaj periudhe, e cila duhet rikujtuar për të mos u kthyer më," u shpreh z. Bungo.

Me subjekt të thjeshtë ku e shkuara i flet të ardhmes , komedia "Ëndërr në papafingo" do të ngjitet në skenën e teatrit "Skampa" në datat 16–17–18 janar, ora 18:00.

"Unë shpresoj që edhe në qytetin e Elbasanit, spektatori ta mirëpresë ashtu sikundër është mirëpritur në qytetin e Fierit," tha regjisori dhe skenaristi, z. Bungo.

"Ëndërr në papafingo" ishte komedia që ngriti siparin e festivalit teatror të organizuar në Preshevë më 9 dhjetor, ku mori çmimin special të festivalit.

/rtsh.al/