RTSH 24 Live

Rajon

BE inkurajon Malin e Zi, Komisionerja Kos: Mund t'i përmbyllni negociatat në 2026

12 orë para

BE inkurajon Malin e Zi, Komisionerja Kos: Mund t'i përmbyllni negociatat në 2026

Komisionerja Europiane për Zgjerim, Marta Kos tha në Podgoricë, gjatë takimit me kryeministrin e Malit të Zi Milojko Spajiç, se “inkurajon Malin e Zi që të punojë edhe më shumë nëse dëshiron të mbyllë kapitujt e negociatave me BE-në deri në vitin 2026”. Ajo theksoi se “Mali i Zi ka mundësi t'i përfundojë negociatat gjatë mandatit të saj dhe se presidenti malazez Jakov Milatoviç dhe kryeministri Milojko Spajiç kanë konfirmuar se qytetarët e duan një gjë të tillë”.

Kos tha se të gjithë aktorët politikë duhet të punojnë në përputhje me dëshirat e qytetarëve për hyrjen në BE. "Mali i Zi ka një mundësi historike dhe nuk ka kohë për të humbur. Unë kam besim tek ju që të më bëni krenar," u shpreh Komisionerja për Zgjerimin. Kos tha se mënyra më e mirë për të ecur përpara është përfshirja e opozitës dhe mbështetja e reformave dhe shtoi se duhet kuptuar gjithashtu se parlamenti është një vend për të diskutuar dallimet.

Mali i Zi është vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që Marta Kos viziton në cilësinë e saj si Komisionere për Zgjerimin. Mali i Zi ka bërë përparimin më të madh në procesin e anëtarësimit në Ballkanin Perëndimor dhe shihet si anëtari i parë i ardhshëm i BE-së. Pas një vlerësimi pozitiv të standardeve kalimtare në fushat e shtetit të së drejtës, vendi ka dalë nga një ngërç shumëvjeçar në negociatat e anëtarësimit dhe po punon për të mbyllur të gjithë kapitujt në procesin e anëtarësimit.

/rtsh.al/