NATO po ndjek me vëmendje procesin zgjedhor në Kosovë në mënyrë që të mos shfaqen shkaqe që mund të çojnë në destabilizim dhe tensione të reja në zonë. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte theksoi se NATO është e angazhuar të parandalojë çdo mundësi destabilizimi në rajon, ndërsa nën monitorim janë edhe mbajtja e zgjedhjeve më 9 shkurt në Kosovë, ku do të zgjidhet qeveria e re.
Gjatë mbledhjes së Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Mbrojtjes në Parlamentin Evropian në Bruksel, Rutte u shpreh se aleanca ushtarake është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet në Kosovë dhe Serbi për të siguruar një proces zgjedhor të qetë dhe pa tensione.
“Ne jemi në kontakt me Kosovën, por edhe me Serbinë, për të siguruar që zgjedhjet që do të zhvillohen më vonë në Kosovë në shkurt të mos çojnë deri te destabilizimi. Kjo është kyç. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor ne vërtetë duhet të mbetemi të angazhuar për së afërmi sepse është një fqinjësi kryesore për ne”, tha Rutte.
Rutte e vuri në dukje se çështjet e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor janë thelbësore për interesat e sigurisë të NATO-s, duke shtuar se aleanca nuk do të lejojë asnjë vakum të sigurisë, as në Kosovë, as në Bosnjë-Hercegovinë. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis NATO-s dhe Bashkimit Evropian për të forcuar stabilitetin dhe për të ruajtur paqen në këtë rajon të rëndësishëm strategjik.
/rtsh.al/