Analisti politik Blerim Canaj ka komentuar situatën politike në Kosovë, duke theksuar se gjatë katër viteve të qeverisjes aktuale, fokusi ka qenë në çështjet në veri të vendit, ndërkohë që në sektorët kyç, si arsimi, shëndetësia dhe mirëqenia sociale, nuk është bërë asnjë përparim.
Sipas Canajt, kjo ka sjellë një zhvendosje të vëmendjes nga çështjet e brendshme, pa arritur të ofrohet një zgjidhje për problemet që ka vendi.
"Qeveria është marrë më shumë me situatën në veri, ndërsa nevojat brenda vendit janë lënë pas dore. Ky fokus ka qenë më shumë një konsum politik për të shërbyer në interesat e brendshme, dhe jo për të sjellë sukses në veri," tha Canaj në një intervistë për RTSH 24.
Për sa i përket fushatës zgjedhore, Canaj e vlerëson atë si të polarizuar dhe me tone të ashpra. Ai vërejti se Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti kanë përdorur një gjuhë të ngjashme, të ashpër, ndërkohë që partitë PDK dhe LDK, po mbajnë një qasje më të balancuar, duke u përqendruar në prezantimin e programeve dhe ideve.
Në lidhje me proceset integruese, Canaj theksoi se gjatë katër viteve të fundit ka pasur dështime të konsiderueshme, duke lënë Kosovën në një pozicion të vështirë përballë sanksioneve ndërkombëtare.
“Tone të ashpra ka pasur Ramush Haradinaj si opozitar dhe duket sikur po flet me gjuhën që ka përdorur Kurti kur ka qenë në opozitë. I ashpër ka qenë edhe vetë Kurti pasi gjatë gjithë qeverisjes gjithmonë kur flitet për dështime qeveritare ai sulmon opozitën. PDK dhe LDK po bëjnë një fushatë më të balancuar të fokusuara në prezantimin e programeve dhe ideve dhe të japin përshtypjen e partive të emancipuara dhe tradicionale. Lidhur me proceset integruese në 4 vite qeverisje ka pasur një lloj dështimi dhe qeveria aktuale do e lë Kosovën nën sanksione që çuditërisht kjo i ndodh për herë të parë këtij shteti të ri”, u shpreh analisti Canaj.
Ai parashikon një garë të ashpër mes partive në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, mes LVV, PDK dhe LDK që do të luftojnë për të formuar qeverinë e ardhshme të vendit.
"Pres që në Kosovë të ketë 750-800 mijë votues dhe nëse Albin Kurti merr aq sa thotë 500 mijë vota, atëherë 300 mijë i mbeten partive të tjera. Nga ajo që shohim në terren, unë pres që gara të jetë kokë më kokë me PDK dhe LDK dhe LVV dhe nuk do të çuditesha që në fund LVV të ishte e dyta. Nuk është më ai militantizmi që ka qenë para 4 viteve. Para 4 viteve ishte më shumë në votë ndëshkuese për qeverinë e kaluar dhe sot partitë janë të gjitha të provuara dhe shkojnë në mënyrë thuajse të njëjtë në garë dhe qytetarët do të vendosin në bazë të atyre që këto parti kanë barë gjatë kohës që kanë qenë në qeveri. PDK ka një tendencë që të merret me politikën e Jashtëm dhe LDK ka më shumë në fokus arsimin. Gjithashtu si PDK dhe LDK kanë kryesisht zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien. Politika e jashtme po ndikon shumë në politikat e brendshme dhe zhvillimin ekonomik të shtetit”, tha ai.
Fushata zgjedhore në Kosovë nisi më 11 janar dhe do të përfundojë më 9 shkurt, kur qytetarët do të votojnë për qeverinë e re. Pas ndryshimeve ligjore, nuk ka heshtje zgjedhore para ditës së zgjedhjeve, por do të ketë gjatë 12 orëve të votimit. Për zgjedhjet janë certifikuar 28 parti politike dhe 1280 kandidatë për deputetë.
/rtsh.al/