Aspak i kursyer me akuzat e tij ndaj kryeministrit Albin Kurti, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidati për kryeministër i Koalicionit për Kosovën Fituese, Ramush Haradinaj, e nisi fushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit me një miting në Prishtinë.
"Shko, Albin, te prokurori. Shko se s'duhen vjedhur rezervat shtetërore, s'duhet vjedhur buka, s'duhet vjedhur energjia. Shko te prokurori!" deklaroi z. Haradinaj.
Kryeministri Kurti, gjatë një mitingu në Mitrovicë, u shpreh se ndryshe nga partitë opozitare, qeveria e tij aleancën me Perëndimin e ka shfrytëzuar për të forcuar ushtrinë dhe për të mbrojtur kufirin e vendit, ndërsa theksoi se në Mitrovicë nuk do të ketë kurrë më sundim të bandave kriminale.
"Nuk ka më e nuk do të ketë kurrë më sundim të bandave kriminale. Nuk ka më e nuk do të ketë kurrë më qarkullim të targave ilegale. Nuk ka më e nuk do të ketë kurrë më ngritje të barrikadave," u shpreh z. Kurti.
Nga Ferizaj, Memli Krasniqi, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, që kandidat për kryeministër ka Bedri Hamzën, theksin e vuri tek "shpërdorimi" i potencialit të Kosovës nga qeveria Kurti gjatë katër viteve të fundit, ndërsa bëri thirrje për nisjen e një epoke zhvillimi dhe rritjeje.
"Nuk mund ta mohojmë dhe as t'i mbyllim sytë përballë një qeverisjeje të dështuar në katër vitet. Një grup burracakësh jokompetentë jo vetëm që nuk kanë bërë gati asgjë të mirë për vendin e qytetarët tanë, por kanë rrezikuar edhe ato të arritura që kemi bërë," deklaroi z. Krasniqi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi të hënën se për të mundësuar votimin për zgjedhësit me nevoja dhe rrethana të veçanta, si të sëmurët, ata me aftësi të kufizuar apo edhe në arrest shtëpie, do të angazhohen ekipe të lëvizshme në çdo komunë, ndërsa për lehtësimin e regjistrimit të tyre, i cili përfundon në datën 5 shkurt, është vënë në funksionim edhe një platformë virtuale në internet.
/rtsh.al/