Mbi 87 mijë nxënës kanë përfituar nga Programi Kombëtar i Depistimit të Shikimit për Fëmijët në Shkolla. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.
Mësohet se nga programi i miratuar nga qeveria që prej muajit prill 2022, 9.711 nxënës janë referuar për vizitë tek mjeku specialist për ndjekjen e problematikave të shfaqura.
“Me fokus të vazhdueshëm tek shëndeti i fëmijëve, gjatë vitit 2025 do të vijojmë mbështetjen për Programin Kombëtar të Depistimit të Shikimit, duke ofruar kontrolle dhe ndërhyrje të hershme për nxënësit në shkolla”, njoftoi ministrja Koçiu.
Përmes këtij programi sigurohet vlerësimi okulistik/optometrik i bazuar në protokollet e miratuara nga MSHMS dhe përgatitja e një regjistri kombëtar për problemet e shikimit të fëmijëve.
Programi Kombëtar për Kujdesin e Shikimit për Fëmijët garanton kujdesin në shikim për fëmijët e porsalindur deri tek fëmijët në moshën 14-vjeçare.
/rtsh.al/