RTSH 24 Live

Aktualitet

Zgjedhjet më 11 Maj, KQZ: Deri tani mbi 15 mijë votues të regjistruar nga diaspora

9 orë para

Zgjedhjet më 11 Maj, KQZ: Deri tani mbi 15 mijë votues të regjistruar nga diaspora

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar shifrat më të fundit lidhur me regjistrimin e shqiptarëve nga jashtë që duan të votojnë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.

Sipas KQZ-së, numri i regjistrimeve të votuesve nga jashtë e ka kaluar shifrën 15 mijë.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), kërkesat për regjistrim janë 15.472 (deri në orën 23:15), ndërsa janë miratuar 2.403 kërkesa.

Sipas gjinisë, në përqindjen më të lartë të regjistruesve janë meshkuj me 9,837 (69.0%) kërkesa, ndërsa femrat janë 4,424 (31.0%).

Për sa i takon kërkesave për regjistrim, sipas grup-moshave, numrin më të lartë të kërkesave e ka grup-mosha 26-35 vjeç me 4,422 kërkesa, më pas grup-mosha 36-45 vjeç me 3,901 kërkesa, nga grup-mosha 46-55 janë regjistruar 2,662 dhe mbi 56 vjeç janë 1,848 kërkesa për regjistrim.

Më të rinjtë, grup-mosha 18-25 vjeç kanë numrin më të vogël të kërkesave, me 1.428 të tilla. Sipas të dhënave, janë refuzuar 402 kërkesa.

Kërkesat për regjistrime janë nga vende të ndryshme të botës. Numri më i lartë i kërkesave është regjistruar nga Italia me 4.289, e ndjekur nga Greqia me 3.011, Gjermania me 2.353, si dhe nga SHBA me 1.352.

Sa i takon kërkesave sipas bashkive, numri më i lartë i aplikimeve është për Tiranën me 2.717, më pas bashkia e Fierit me 1.236, Durrës me 722 e ndjekur nga Shkodra me 573.

/rtsh.al/