RTSH 24 Live

Sociale

Masa për qentë endacakë - Në Gjirokastër nis identifikimi, më pas edhe vaksinimi

15 orë para

Masa për qentë endacakë - Në Gjirokastër nis identifikimi, më pas edhe vaksinimi

Për të shmangur situatat problematike me qentë endacakë në Gjirokastër, bashkia ka ndërmarrë një sërë masash konkrete.

Aktualisht po kryhet identifikimi për të vijuar më pas me trajtimin këtyre kafshëve përmes procesit të sterilizimit dhe vaksinimit, duke synuar reduktimin e numrit të tyre dhe rritjen e sigurisë për qytetarët.

"Disa muaj më parë kemi pasur dy raste të shfaqjes së agresivitetit të qenve. Është bërë identifikimi i tyre, i kemi kapur, i kemi mjekuar, se ishin edhe të sëmurë. Këtë vit na është miratuar një fond nga bashkia për vaksinimin e qenve dhe do të ndërmarrim një fushatë," thotë veterinerja Adelina Haxhiaj.

Një hap i rëndësishëm është ngritja e një qendre të dedikuar për mbajtjen e këtyre qenve, projekt i cili pritet të realizohet gjatë këtij viti. 

"Neve si bashki na është miratuar edhe një fond prej 4 milionë lekë të vjetër për pastrimin dhe sterilizimin e qenve për të ulur në minimum shtimin e tyre si pasojë e periudhës së çiftëzimit. Brenda këtij viti kemi parashikuar të rikonstruktojmë një objekt të bashkisë të përshtatshëm për mbajtjen e disa qenve," shprehet veterinerja.

Bashkia e Gjirokastrës mbetet e angazhuar për të gjetur zgjidhje afatgjata për këtë problematikë, ndërsa qytetarët inkurajohen të raportojnë për çdo rast që kërkon ndërhyrje.

/rtsh.al/