RTSH 24 Live

Rajon

Kroacia zgjedh presidentin Zoran Milanoviç për një mandat të dytë

13/01/2025

Kroacia zgjedh presidentin Zoran Milanoviç për një mandat të dytë

Presidenti Zoran Milanoviç do e drejtojë Kroacinë për një mandat të dytë pas fitores plebishitare të arritur të dielën.

Socialdemokrati mori më shumë se 74 për qind të votave në balotazhin e zhvilluar me rivalin e qendrës së djathtë, Dragan Primorac, i cili siguroi vetëm 25 për qind. Ky ishte rezultati më i lartë i arritur nga një kandidat për president që kur vendi fitoi pavarësinë në vitin 1991.

"Unë e shoh këtë fitore si mirënjohje ndaj punës time në pesë vitet e fundit dhe një mesazh plebishiti nga populli kroat për ata që duan ta dëgjojnë," deklaroi z. Milanoviç për simpatizantët.

Pjesëmarrja në votime të dielën ishte rreth 44 për qind, më e ulët sesa në raundin e parë, kur presidenti Milanoviç siguroi rreth 49 për qind të votave.

Presidenti i Kroacisë ka një post kryesisht ceremonial dhe mund të mbajë qëndrime për politikën e jashtme, të mbrojtjes dhe për sigurinë e vendit, por nuk ka të drejtë të vendosë veton për ligje të caktuara.

Ish-kryeministri 58-vjeçar, Milanoviç, erdhi në krye të shtetit pas fitores në vitin 2020 nga partia kryesore opozitare e Socialdemokratëve. Rivali i tij në zgjedhjet e fundi e akuzoi presidentin gjatë fushatës si një "kukull proruse", që e ka ulur besueshmërinë e Kroacisë në NATO dhe në Bashkimin Europian. /AFP

/rtsh.al/