RTSH 24 Live

Kulturë

Vila e ish-diktatorit tani një rezidencë artistike, Rama: Enver Hoxha po rrotullohet në varr

5 orë para

Vila e ish-diktatorit tani një rezidencë artistike, Rama: Enver Hoxha po rrotullohet në varr

Vila e ish-diktatorit Enver Hoxha, Vila 31, është hapur si një rezidencë artistike, ku pritet të mblidhen artistë nga e gjithë bota.

I pranishëm në ceremoninë e hapjes, kryeministri Edi Rama u pyet nga gazetarët nëse rezidenca duhej ruajtur si shtëpi e "ish-diktatorit, e krimeve dhe si një muze përgjegjësie”, dhe jo t'i delegohej artit.

Rama theksoi se ai nuk besonte që objekti duhej të jetë një muze përgjegjësie, por të bëjë të kundërtën e asaj që do të dëshironte vetë diktatori.

Ky është një opinion që unë nuk e ndaj pasi unë besoj se gjëja më e duhur që duhej bërë në këtë hapësirë ishte kjo që u bë; që kjo hapësirë të përdorej për të bërë gjëra që Enver Hoxha do t’i kishte më shumë tmerr se çdo gjë tjetër. Kjo ka qenë në fakt motoja shtytëse në mendjen tonë; do të bëjmë një gjë që Enver Hoxha të rrotullohej në varr nga sikleti deri në një pendesë ekstreme që pse jetova dhe e ndërtova aty që e morën dhe po bëjnë këtë gjë. Nëse kishte diçka që e bënte tërësisht mizore diktaturën ishte çdo shprehje të asaj që ata e quanin ‘degjenerimi modernist’. Kjo do të jetë një shtëpi e ‘degjenerimit modernist’, dhe nuk ka më bukur që këtë hapësirë ta përdorin artistët e rinj nga e gjithë bota dhe të jetë një vend dialogu dhe ndërveprimi”, u shpreh Rama.

Kryeministri veçoi rëndësinë e ruajtjes së elementeve historike dhe dekorit, duke krijuar një qendër që frymëzon dhe sjell sinergji të reja në art.

"Më vjen mirë që sot mbaron një rrugë shumë e gjatë përsiatjeve për çfarë duhet të ndodhi me këtë godinë e dilemave se çfarë programi duhet të kishte kjo godinë e tundimeve për ta shembur dhe për ta kthyer në diçka tjetër. mbaron në mënyrën më të mirë. Falë dy arkitektëve që janë këtu. Shumë faleminderit për punën e bërë. Shumë respekt për punën," tha Rama.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, e vuri theksin te dinamika që mund të sjellë kjo qendër në tregun e artit shqiptar.

"Ekipi ynë së bashku me Art Explora do bëjnë ç’është e mundur që organizimi i mbështetjes edhe nga pikëpamja e kontratës që kemi për çdo aspekt të këtij projekti dhe përfshirjen e qendrës në mënyrën e re si kemi konceptuar grantet për 2025 e në vijim. Do mbështesim qendra dhe shoqata në mënyrën e re si do jetë pjesëmarrja e MEKI, mënyra si vërtetë Art Explora çelë këtë qendër dhe e gjen Tiranën në një hotspot me një jetë artistike të pavarur në mënyrë transparente," deklaroi Gonxhja.

/rtsh.al/