Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në çeljen e rezidencës artistike, “Vila 31 x Art Explora”, e cila është shndërruar në një ambient të hapur e kulturor për të pritur artistët shqiptarë e të huaj për organizimin e ngjarjeve kulturore.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama ka dhënë lajmin se në muajin Prill të këtij viti do të kemi në Portin e Durrësit muzeun e parë lundrues që do të qëndrojë në vend, që do të qëndrojë për 10 ditë, duke bërë gjithë unazën e Mesdheut.
“Në Prill do të kemi fatin që të kemi këtu muzeun e parë lundrues që do të qëndrojë për 10 ditë në Portin e Durrësit duke bërë të gjithë Unazën e Mesdheut dhe pastaj, vitet e tjera do të sjellim të tjera të reja”, u shpreh Rama.
Ambasadorja e Francës në Tiranë, Catherine Suard e pranishme në aktivitet u shpreh se kjo anije muze e fondacionit “Art Explora” në Portin e Durrësit do të përbëjë një moment të rëndësishëm për ndërlidhjen e turizmit me kulturën dhe për Francën ka një rëndësi të veçantë.
Ajo informoi se Durrësi po bëhet gati të presë në muajin prill një anije lundruese muze.
“Durrësi është përzgjedhur mes 20 qyteteve si etapë e udhëtimit në detin Mesdhe. Kjo anije lundruese është mishërimi i udhëtimit ujor të artit, një pasion që Franca e kultivon dhe dëshiron ta ndajë”, deklaroi ambasadorja franceze.
/ rtsh.al /