Komedia “Endërr në papafingo” me skenar dhe regji të Leka Bungos e luajtur në teatrin “Skampa” në Elbasan, trajton një nga temat e mprehta shoqërore të kohës, siç është ajo e ndërtimit të familjes së "re" socialiste.
Një martesë dhe krushqi për të përfituar dhe është pikërisht ky korrupsion primitiv që ekziston edhe sot, por me një kostum modern. Për aktorët, Elbasani mbetet një ndër qytetet më artdashës dhe ndihen të vlerësuar nga publiku i cili e duartrokiti lojën e tyre.
“Mesazhi i personazhit tim është që zemra gjithonë fiton. Ai që do lufton për dashurinë dhe e merr atë”, u shpreh aktorja Ilirida Bejleri.
“Është hera e dytë që vi. Më ka lënë shumë mbresa, publiku e ka kuptuar shumë mirë veprën, ka reaguar fiks aty ku duhej, por edhe në momentin që nuk e prisnim. Kjo do të thotë që është një publik që e njeh shumë mirë teatrin, është i kultivuar duke parë shfaqjen dhe kjo na ben shumë të lumtur”, tha aktori Florian Agalliu.
“Komedia u prit shumë mirë nga spektatori. Besoj se të gjithë e kanë kuptuar mesazhin e komedinë e Bungos i cili me një sharm dhe stil shumë unik ka arritur të bëjë një komedi duke sjellë atë periudhë që një pjesë e mirë e rinisë shqiptare nuk e njeh”, u shpreh aktori Artan Islami.
Komedia "Ëndërr në Papafingo" do të jepet në teatrin “Skampa” edhe në datat 17 e 18 Janar, në orën 18:00.
/rtsh.al/