RTSH 24 Live

Kulturë

Manastiret e Luginës së Drinos në listën e "World Monuments Watch 2025"

4 orë para

Manastiret e Luginës së Drinos në listën e "World Monuments Watch 2025"

Përzgjedhja e manastireve të Luginës së Drinos në "World Monuments Watch 2025" cilësohet një mundësi e mirë për promovimin dhe restaurimin e vlerave që mbartin.

Përgjatë Luginës së lumit Drino në zonën e Gjirokastrës ndodhen monumente kulture, duke përfshirë edhe objekte të kultit, që prezantojnë elemente të rëndësishme të trashëgimisë kulturore.

Manastiret e Ravenës, Duvjanit, Spilesë etj. kanë vlera historike dhe religjioze për zonën e jugut e më gjerë.

Tashmë manastiret në Luginën e Drinos janë pika të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. 

Mirëmbajtja dhe restaurimi i tyre është i domosdoshëm për tërheqjen e vizitorëve në rajonin jugor.

"Është një gjë shumë e rëndësishme për sa i takon zhvillimit dhe ruajtjes së këtyre monumenteve, pasi janë në zona të thella malore dhe po s'qenë në qendër të vëmendjes dhe turizmit, nuk do të ndikojë mirë te jetëgjatësia e tyre. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore të Gjirokastrës dhe me gjithë donatorët - dua të falënderoj edhe Fondin e Ambasadorit Amerikan - po bën të gjitha përpjekjet që këto monumente të kenë vëmendjen për investime dhe restaurime," shprehet Ardis Duka, drejtor rajonal për trashëgimimë kulturore në Gjirokastër.

Turizmi fetar po tërheq gjithmonë e më shumë turistët vendas dhe të huaj në rajonin e Gjirokastrës.

Gazetare: Enkeleda Domeri

/rtsh.al/