Në kohën ku jetojmë është tregu ai që orienton më së shumti profesionet. Në shumë raste nuk ka rëndësi arsimimi apo profili për të cilin keni studiuar, nevoja, por dhe imponimi i tregut të shtyjnë në zgjedhje të detyruara.
Në një bisedë në “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, të zhvilluar me ekspertët e punësimit, Eni Kasmi dhe konsulenten e punësimit, Eljana Mete, u diskutua për sfidat dhe mundësitë që ofron tregu i punës për të rinjtë shqiptarë. Ndërsa shumë të rinj përballen me vështirësi në gjetjen e mundësive të karrierës, ekspertët theksuan se orientimi i duhur është thelbësor për të pasur një të ardhme të suksesshme profesionale.
Eni Kasmi theksoi se kompanitë kanë ka një kërkesë të madhe për punonjës, por sfida kryesore mbetet përputhja mes aftësive të kandidatëve dhe kërkesave të tregut. Ajo sugjeroi praktika mësimore të paguara nga kompanitë shqiptare, që do t'u jepnin mundësi të rinjve për t'u integruar më lehtë në tregun e punës.
“Ka dhe punë dhe profesionistë por duhet t’i përshtatës së bashku këto gjëra që të eci pjesa e rekrutimit. Kompanitë kanë shumë nevojë sot për punonjës dhe problematikat kryesore ne i kemi jo vetëm te përshtatja e kandidatëve, por edhe përzgjedhja e tyre, pasi shumë CV nuk përshtaten me vendin e punës dhe sfida është t’i përshtatësh. Ne hasim shumë vështirësi për punësimin e të rinjve, pasi shumë kompania shqiptare nuk ofrojnë praktikën mësimore për punësimin e të rinjve pas studimeve. Një praktikë mësimore e paguar do ishte shumë e mirë që këto të rinj të përthithen nga vendet e punës këtu. Duhet një balancim mes atyre që mbarojnë shkollën dhe tregut shqiptar. Shkollat profesionale kanë marrë iniciativën për sistemin dual të mësimit ata bënin 50 % të kohës mësim dhe 50 % bënin praktikë në kompanitë që kishin lidhur marrëveshje”, tha Kasmi.
Nga ana tjetër, Eljana Mete shtoi se shumë të rinj sot nuk po zgjedhin profesione që i përshtaten aftësive të tyre natyrore, por orientohen kryesisht nga dëshirat e prindërve dhe mundësitë financiare.
Ajo këshilloi që të rinjtë të konsultohen me specialistë të karrierës që në moshë të re dhe të fillojnë të zhvillojnë aftësitë e nevojshme për tregun e punës përpara se të mbarojnë shkollën.
“Tregu ka nevojë për ato profesione që e lidhen me bujqësinë dhe turizmin. Sot të rinjtë nuk shkojnë drejt asaj se ku i kanë aftësitë më të mira, por kryesisht ecin duke u konsultuar me prindërit dhe parë se ku u leverdis më shumë. Prandaj të rinjtë duhet të konsultohen me specialistë dhe hapat për një karrierë nuk duhet të fillojë 18-vjeç por shumë më herët. Ka teste, ka organizime dhe mënyra të ndryshme angazhimi që të rinjtë të njohin veten dhe talentin e tyre dhe më pas ta drejtojnë drejt karrierës në të ardhmen”, tha Mete.
Ekspertët theksuan se fusha të tilla si IT, marketing, burimet njerëzore dhe agjentët e shitjes janë ndër profesione më të kërkuara, ndërsa sektori i bujqësisë dhe turizmit ofron gjithashtu mundësi të mëdha për të rinjtë.
/rtsh.al/