RTSH 24 Live

Aktualitet

Qëlloi për vdekje me shtizë peshkimi të riun shqiptar në Itali, dënohet me 18 vite burg algjeriani

2 orë para

Qëlloi për vdekje me shtizë peshkimi të riun shqiptar në Itali, dënohet me 18 vite burg algjeriani

Tetëmbëdhjetë vite burg ka vendosur Gjykata në Ankona për algjerianin 28-vjeçar  Fatah Melloul, autor i vrasjes së 23-vjeçarit shqiptar Klajdi B.

Ky i fundit u qëllua me shtizë peshkimi për vdekje nga 28-vjeçari, teksa ndërhyri për të shuar sherrin e shokut të tij me algjerianin.

Ngjarja tragjike u regjistrua më 27 gusht të vitit 2023, në via Cilea në Sirolo (Ancona).

Ngjarja nisi me debat për çështje rruge, tek rrethrrotullimi. Viktima ndodhej në automjet me shokun e tij, ndërsa ky i fundit u konfliktua me algjerianin verbalisht. Pas ofendimeve të ndërsjellta, 28-vjeçari u kthye në automjet për të marrë shtizën e peshkimit dhe qëlloi për vdekje në gjoks të riun shqiptar.

Autori i ngjarjes u arratis, por u kap disa orë më vonë nga autoritetet italiane në Falconara.

Prokurori Marco Pucilli kërkoi 24 vite burg për autorin, duke përjashtuar motivet joserioze. Gjykata e kryesuar nga gjyqtari Roberto Evangelisti dënoi të akuzuarin, të mbrojtur nga avokati Davide Mengarelli, edhe me një shumë provizore prej 40 mijë eurosh. Sakaq, në gjykatë është paraqitur dhe arma me të cilën u qëllua i riu shqiptar.

 /rtsh.al/